KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Traviata” me Ermonela Jahon dhe Placido Domingon
"Traviata" me Ermonela Jahon dhe Placido Domingon

“Traviata” me Ermonela Jahon dhe Placido Domingon

Opera “Traviata” parashikohet të jetë shfaqja më pompoze e sezonit në “Choregie d’ Orange” me Ermonela Jahon dhe Placido Domingon. Kështu e paralajmëron Francë TV shkëlqimin e sopranos shqiptare dhe rikthimin e Plaçido Domingos në teatrin antik. “Traviata” e Verdit vjen në skenën antike me 3 dhe 6 gusht dhe transmetohet direkt nga Francë 3. Sopranoja shqiptare zëvëndësoi vetëm një javë më parë sopranon gjermane Dian Damrau, e cila anulloi shfaqjen për shkaqe shëndeti. Ndërkaq ylli i shfaqjes tashmë është Ermonela Jaho në rolin e Violetës. Bashkë me të në skenë, Plaçido Domingo i cili për median franceze bën rikthimin e madh në skenën e “Choregies d’ Orange”. Sopranoja shqiptare, 42 vjeçare ka një avantazh, shkruan Culture box. Ajo e njeh mirë teatrin antik të Choregies pasi në datat 9 dhe 12 korrik ishte në petkat e Cio Cio San për shfaqjen Madame Butterfly, përballë Bryan Himel. Të dy rolet Cio Cio San dhe Violetës, janë pikat e forta të sopranos, ndërkohë që në shfaqjen e sotme në rolin e Alfredos ajo ka përkrah tenorin Francesco Meli. Një sondazh i talentit të saj u shpërfaq gjatë provës gjenerale më 31 korrik e cila u ndoq nga së paku 6 mijë spektatore. Ndërsa vetë Ermonela e cila u shfaq në konferencën për shtyp përkrah yllit të madh të operas botërore Placido Domingo do të shprehej: “Faleminderit maestro për thjeshtësinë dhe fjalët vlerësuese në konferencën të shtypit, ato kanë një domethenie të madhe për mua sidomos kur shprehen nga një legjendë siç jeni ju! Është shumë e rrallë të gjesh një përputhje mendimesh midis dy gjeneratave kaq të ndryshme…!” . “Nuk është e lehtë të bëhesh i madh, por merr një jetë të tërë të bëhesh human!”.