KRYEFAQJA » LAJME » Tregjet e gjësë së gjallë, Rama paralajmëron ndërhyrje të ashpra
tregu i gjese se gjalle, rama, kryetaret e bashkive, mbledhje, tregeti, pa standarte, therja e kafsheve, masa te ashpra, veterineri, gjela deti te matrikuluar

Tregjet e gjësë së gjallë, Rama paralajmëron ndërhyrje të ashpra

Kryeministri Edi Rama ka shprehur alarmin në rritje për gjendjen e rëndë sipas tij të tregjeve të gjësë së gjallë dhe paralajmëroi matrikullimin e të gjitha kafshëve në Shqipëri. Duke folur të mërkurën në një takim me zyrtarët më të lartë të AKU dhe bashkive të të gjithë vendit , zoti Rama tha se “Tregjet janë pa standarde. Shërbimi veterinar kryhet në mënyrë informale, me korrupsion dhe pa bërë asnjë shërbim minimal dezinfektimi. Nuk kanë asnjë gjurmueshmëri të lëvizjes së kafshëve dhe produkteve që vendosen në shitje”. “Jemi shumë të shqetësuar dhe të vetëdijshëm që është trashëgimi e rëndë për ju, por edhe ju duhet të jeni të vetëdijshëm që keni më shumë se një vit në krye të bashkive” shtoi më tej zoti Rama. “Ju duhet vendosmëri për t’u përballur me këtë informalitet ekstrem që është turp për Shqipërinë” shtoi kryeministri. Zoti Rama paralajmëroi se nga data 1 dhjetor, “kafshët duhet të jenë të pajisura me certifikatën veterinare, përndryshe, do të sekuestrohen”. Ai bëri të ditur se “Për vitin 2017 do të matrikullohen të gjitha kafshët që mbarështohen e për pasojë nuk do të ketë më kafshë të pamatrikulluara. Nuk mund të lejojmë që mishi të theret e të shitet në Shqipëri si në Mesjetë” tha ai.