KRYEFAQJA » LAJME » Treni serb i nisur drejt Kosovës, rikthehet në Beograd
Treni serb i nisur drejt Kosovës, rikthehet në Beograd

Treni serb i nisur drejt Kosovës, rikthehet në Beograd

Treni i cili u nis të shtunën nga Beogradi drejt Mitrovicës së Veriut në Kosovë, është ndalur në qytetin serb Rashkë, prej nga është kthyer sërish në Beograd, njoftojnë burime të ndryshme informacioni.
Treni është vlerësuar si njëri nga provokimet e radhës të Serbisë, ndërsa është kërkuar ndalimi i tij në territorin e Kosovës. Autoritetet kosovare prej ditësh ishin deklaruar kundër hyrjes së trenit serb në territorin e Kosovës.
Më herët Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha për Express se kishte dhënë urdhër që me çdo çmim të mos lejohej hyrja e trenit serb në Kosovë. Ai deklaroi se beson në autoritetet e Kosovës se, do të ndalin hyrjen e trenit serb në Republikën e Kosovës. “Kam besim të plotë se autoritetet do t’i kryejnë përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese. Institucionet duhet t’i kryejnë këto përgjegjësi. Mjaft është mjaft. Do të ketë zero tolerancë ndaj Beogradit në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”, deklaroi presidenti Hashim Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa tha gjatë një konference të jashtëzakonshme shtypi se qeveria e Kosovës ndali provokimin e radhës së Serbisë, duke nënvizuar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është vendosur që të mos lejohet futja e trenit serb. Ai deklaroi se Kosova është e përkushtuar në lëvizjen e lirë të qytetarëve, por nuk do të lejojë provokime të tilla që kthen Kosovën dhe rajonin në vitet e errëta të konflikteve.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se Prishtina, me rastin e rihapjes së vijës hekurudhore Beograd-Kosovë, u përpoq të provokojë konflikt në shkallë të gjerë. Në konferencën e mbajtur për media, Vuçiç tha se shqiptarët dhe forcat e tyre speciale u përpoqën gjatë ditës të hedhin në erë një pjesë të hekurudhës, kurse siç tha ai dërguan një njësi të veçantë në Jarinjë, “për të krijuar konflikt”.
Treni u nis sot nga Beogradi për në Mitrovicën veriore dhe sipas Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, është qarkullimi i parë hekurudhor që nga viti 1999.
Sipas medias kosovare, treni nga Beogradi drejt Mitrovicës Veriore nga brenda është “dekoruar” me afreske të monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ndërsa nga jashtë me flamurin e Serbisë dhe etiketën “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të botës, përfshirë edhe atë shqipe.