KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tronditet Anglia, shkarkohet trajneri i përfaqësueses

Tronditet Anglia, shkarkohet trajneri i përfaqësueses

Futbolli anglez është tronditur martën në mbrëmje pasi trajneri i përfaqësueses, Sem Allardajs, është shkarkuar në mënyrë të papritur pas zbulimit të një afere korrupsioni. 61-vjeçari ka rënë pre e një kamere të fshehtë, ku ai këshillon një gazetar të maskuar si biznesmen, sesi t’i anashkalojë rregullat sa i përket pronësisë së lojtarëve, si dhe pranon të bëhet pjesë e një marrëveshjeje me vlerë 400 mijë stërlinash angleze për rolin si këshilltar i një firme nga Lindja e Largët. Për më tepër Allardajs shihet në pamjet e xhiruara nga gazetari i “Dejli Telegraf” teksa tallet me paraardhësin e tij në stolin e “3 Luanëve”, Roi Hoxhson, dhe ndihmësin e tij, Geri Nevill.
Pas publikimit të këtyre pamjeve, Sem Allardajs ka zhvilluar një takim me drejtuesit presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Klark, dhe kreun ekzekutiv të saj, Martin Glen, të cilëve u ka ofruar “ndjesën e tij të sinqertë për atë që kishte ndodhur. Përtej gjithçkaje që ka ndodhur, Allardajs ka theksuar se kishte qenë një nder i madh për të që ishte emëruar në këtë detyrë dhe se ishte jashtëzakonisht i shqetësuar me pasojat e veprimeve të tij. Trajneri 61-vjeçar e drejtoi Anglinë 67 ditë dhe korri fitoren 1-0 që ajo arriti në ndeshjen e parë të Eliminatoreve të Botërorit 2018 ndaj Sllovakisë.