KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump-Clinton për sigurinë kombëtare
EPA/JUSTIN LANE / ANDREW GOMBERT

Trump-Clinton për sigurinë kombëtare

Lajmet për shpërthimin në Nju Jork apo të sulmit në qendrën tregtare në Minesota kanë përfshirë fushatën presidencale në SHBA. Donald Trump është treguar tepër i ashpër duke reaguar menjëherë se “duhet të përdorim mënyra të forta”. Nga ana tjetër, reagimi i Hillary Clinton është më i butë duke ftuar “për t’u lutur për viktimat dhe të lejojnë hetuesit të punojnë”. “Njerëzit po jetojnë në një moment që duhet të përdorim mënyrat e forta. Duhet të përdorim mënyra shumë, shumë, shumë të forta”, deklaroi Trump para mbështetësve të tij në Kolorado Spring pas shpërthimeve në Manhatan. “Sulmet e të shtunes tregojnë se politikat e falimentuara të Obama-s dhe Clinton nuk do na mbajnë të sigurt! Unë do ta bëj Amerikën sërish të sigurt. Nën lidershipin e Obama-s dhe Clinton amerikanët kanë provuar më shumë sulme në shtëpi se sa fitore jashtë. Ka ardhur koha për të ndryshuar strategji”, vazhdon Trump. Nga ana tjetër Clinton sulmoi Trump duke e akuzuar se nuk ka një plan. “Unë jam e vetmja kandidate në këtë garë që ka marrë pjesë në vendime të vështira për të eleminuar terroristët nga fusha e betejes”, deklaroi Hillary Clinton pas ngjarjeve në Nju Jork dhe Nju Xhersi. Kandidatja demokrate për shtëpinë e bardhë ka sulmuar disa herë rivalin e saj Donald Trump duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se “plani sekret i Trump është që… nuk ka një plan”.