KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump darkon me Romney

Trump darkon me Romney

Ndonëse gjatë fushatës shkëmbyen akuza të ashpra mes njëri tjetrit, Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe republikani, Mitt Romney, kanë darkuar në Nju Jork, gjë që i ka shtuar spekulimet se ish-kandidati presidencial mund të emërohet shumë shpejt në postin e Sekretarit të Shtetit. I pranishëm ka qenë edhe shefi i stafit të Trump, Rains Pribas, ndërkohë që pritet ende një konfirmim nga ana e zyrtarëve nëse Romney do të marrë realisht një detyrë të re me ndërrimin e administratës. Pas darkës me Donald Trump, guvernatori i 70-të i Masaçusetsit u shpreh se me Presidentin e zgjedhur amerikan kishte diskutuar çështje që lidhen me arenën ndërkombëtare. Gjatë fushatës presidenciale, Romney dhe Trump patën përplasje të ashpër mes njëri tjetrin, ku nuk munguan as fjalë si hipokrit e mashtrues. Megjithatë, përzgjedhja e Sekretarit të Shtetit do të pritet me mjaft interes, pasi i përzgjedhuri do të jetë shefi i diplomacisë amerikane në mbarë botën .Që kur Trumpi filloi të konsideronte seriozisht Romneyn për postin e Sekretarit të Shtetit, disa prej pjesëtarëve të ekipit të tij kanë ngritur shqetësimet për emërimin e një kritiku të ashpër dhe kanë lobuar për kandidatin e tyre të preferuar, ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut dhe besniku i Trumpit, Rudi Giuliani.