KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump: “Jetoni deri në 8 Nëntor dhe votoni për mua!”

Trump: “Jetoni deri në 8 Nëntor dhe votoni për mua!”

Republikani, Donald Trump, ka shokuar edhe njëherë me deklaratat e tij të pazakonta, teksa në një apel drejtuar personave të sëmurë, ka kërkuar që këta të fundit të jetojnë deri më datë 8 nëntor dhe të votojnë për të. Kandidati republikan po fliste në një tubim në Nevada, kur bëri apelin por ajo që tërhoqi vëmendje ishte mënyra sesi Trump e bëri këtë deklaratë. Miliarderi u shpreh se nuk i interesonte nëse ata janë në gjendje tepër të rëndë, pasi gjëja kryesore është që të dalin dhe të votojnë për kandidatin republikan. “Nuk më intereson sa të sëmurë jeni. Nuk më intereson nëse ju sapo jeni kthyer nga mjeku dhe u ka thënë që jeni në gjendjen më të rëndë dhe se gjithçka ka mbaruar. Nuk ka rëndësi kjo. Mbahuni deri më 8 nëntor dhe dilni e votoni”, ka bërë thirrje kandidati republikan për president në SHBA. Trump shtoi se ai i do vërtet personat e sëmurë dhe se do t’i kujtojë me dashuri pasi ata të kenë ikur nga kjo botë. Deklarata e Donald Trumpit ka shkaktuar reagim të menjëhershëm në radhët e opinionit publik amerikan, teksa edhe në rrjetet sociale janë parë mesazhe të shumta kritikuese ndaj miliarderit. I pyetur nga gazetarët pas takimit elektoral që u mbajt në Nevada, miliarderi njujorkez u shpreh se po fliste me gjuhën e batutave, por nënvizoi se mesazhi që kërkonte të përcillte ishte mjaft serioz.