KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump: Putin ka qënë një president më i mirë se Barak Obama

Trump: Putin ka qënë një president më i mirë se Barak Obama

Në të njëjtën ditë kur shefi i Pentagonit akuzoi Rusinë si shkaktare të paqëndrueshmërise globale, Donald Trump mbushi me lëvdata liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, gjatë një forumi ku ai dhe rivalja demokrate duhet t’iu përgjigjeshin pyetjeve të veteranëve ushtarakë. Kandidati republikan tha për panelin se presidenti rus ka qenë një udhëheqës shumë më i mirë se Barack Obama. Ndërsa Hillary Clintonit iu desh të mbronte pozitat e saj pas skandalit të e-mail-eve. Kandidatët për Shtëpinë e Bardhë dilnin me radhë në skenë dhe kishin në dispozicion 30 minuta. Duke kujtuar se Putini gëzonte 82% të mbështetjeve në Rusi, Trump theksoi se ai e zotëronte shumë mirë vendin e tij dhe se nëse do të fitonte zgjedhjet e nëntorit do të vendoste një marrëdhënie të shkëlqyer me të. Manjati i pasurive të paluajtshme shkaktoi reagime të ashpra së fundmi kur i kërkoi Rusisë të gjente e-mail-et që Clinton kishte fshirë nga serveri i saj. Ndërkohë, kandidatja demokrate, e cila u shfaq e para në skenë, u përball me kritikat e veteranëve lidhur me atë që e quajtën mungesë përgjegjshmërie në administrimin e e-mail-eve të klasifikuara. Klinton tha gjithashtu se votimi i Senatit në favor të luftës në Irak në vitin 2002 kishte qenë një gabim. Ndërsa u zotua se në Irak nuk do të dërgohen më trupa tokësore, ajo akuzoi rivalin republikan se dikur kishte mbështetur ndërhyrjen ushtarake.