KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump sulmon Michelle Obamën
trump-sulmon-michelle-obamen

Trump sulmon Michelle Obamën

Kandidati republikan për presidencën, Donald Trump ka nisur një sulm të rrallë ndaj zonjës së parë, Michelle Obama, duke thënë se gjithë çfarë ajo do, është të bëjë fushatë për rivalen e tij. Ai gjithashtu e ka akuzuar zonjën e parë se ka sulmuar Hillary Clinton në 2007, duke rikujtuar një fjali të zonjës Obama teksa ajo fliste për aftësinë për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë. Në një tubim në Karolinën e Veriut, Trump i tha midis të tjerash mbështetësve të tij: “Kemi një president. Gjithë çfarë ai do, është të bëjë fushatë – gruaja e tij – gjithë çfarë ajo do, është të bëjë fushatë. Dhe unë e shoh që gruaja e tij e simpatizon Hillary-n. Por a nuk ishte ajo që tha ‘nëse nuk kujdesesh për shtëpinë tënde, nuk mund të kujdesesh për Shtëpinë e Bardhë ose vendin’. Ku është kjo? Nuk e kam dëgjuar.”Shumë kritikë kanë pyetur nëse ky koment i ishte drejtuar Clinton-ëve dhe marrëdhënies së tyre, por fushata Obama argumentoi se kjo fjali i referohej vetë sfidave të tyre të të qenit prindër, përgjatë fushatës së Barack Obama. Në krahun tjetër, demokratja Clinton nuk ka ngurruar ta quajë Trump një kërcënim për demokracinë, në rast se ai nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve, shqetësim që u shpreh më herët edhe nga presidenti Obama. Kandidatët tashmë kanë edhe 18 ditë kohë për të udhëtuar përgjatë Shteteve të Bashkuara, në përpjekje për të bindur votuesit e pavendosur. Pritet që ata të organizojnë takime në shtete kyçe për zgjedhjet, si Ohio, Karolina Veriore, Florida dhe Pensilvani.