KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Trupa kombëtare e baletit maqedonas sjell në Tiranë “Dhoma e kuqe”
Baleti maqedonas vjen në Tiranë me “Dhoma e kuqe”

Trupa kombëtare e baletit maqedonas sjell në Tiranë “Dhoma e kuqe”

Trupa kombëtare e baletit maqedonas sjell në Tiranë “The Red Room” me koregrafi nga Igor Kirov. Një balet modern, “Dhoma e kuqe” është frymëzuar nga një kompozim i Franc Schubert për kuartet harqesh i njohur me titullin “Vdekja dhe vajza”. Duke e marrë pikënisjen pikërisht nga kjo pjesë, historia zhvillohet më tej: Vdekja e etur për pak dashuri vjen tek njerëzit dhe dashurohet me profetin të cilit i shkëput të gjitha fijet me botën tokësore dhe e merr në botën e përtejme – në botën e dhomës së kuqe. Kjo ngjarje në jetën e profetit e ndan fabulën në dy pjesë: në atë të kërkimit për profetin dhe në atë të përpjekjeve për ta rikthyer në botën e të gjallëve. Kështu vajza fillon udhëtimin e saj fillestar. Kështu “dhoma e kuqe” nga njëra anë kthehet në një skenë të dashurisë së pafundme për unitet dhe përkatësi dhe nga ana tjetër tregon për vetminë si e vetmja formë e përkatësisë absolute që përfaqësohet me anë të gjuhës së një trupi në krizë. Në plotësimin e kuadratit të sjelljes së mjeshtrave moderne europiane të koreografisë do të jetë edhe kjo shfaqje në teatrin e operas dhe baletit të shtunën në mbrëmje. Igro Kirov është një nga emrat më të rëndësishëm të baletit maqedonas. Edhe pse krijimet e Kirov kanë qënë pjesë e repertorit të teatrove të ndryshëm në Europë dhe SHBA, ai është vazhdimisht prezent në skenën Maqedonase. Dhoma e kuqe sjell si soliste: Aleksandra Mijallkova, Vasil Çiçijashvili, dhe Aleksova Atanasovska.