KRYEFAQJA » LAJME » Tsipras jep dorëheqjen, Greqia në zgjedhje të parakohshme
Tsipras jep dorëheqjen, Greqia në zgjedhje të parakohshme

Tsipras jep dorëheqjen, Greqia në zgjedhje të parakohshme

Kryeministri grek Aleksis  Tsipras ka dhënë të enjten dorëheqjen bashkë me kabinetin e tij, me qëllim që të kërkojë një mandat të ri dhe më të fuqishëm nga populli grek. Vendimi për të dhënë dorëheqjen vjen pas rebelimit të rreth 43 deputetëve të Syrizas, partia e zotit Tsipras , kundër reformave që i kërkohen Greqisë nga kreditorët pas miratimit të paketës së tretë të ndihmës prej 86 mld euro. Para marrjes së këtij vendimi zoti Tsipras diskutoi gjatë me bashkëpunëtorët e tij dhe ministra të qeverisë.  “Kam vendosur që t’i paraqes presidentit te republikes doreheqjen time dhe të qeverise. Ne do t’i kthehemi zgjedhjeve përsëri. Unë dua me votën tuaj që të vendosni nëse unë të vazhdoj me qeverisjen time, apo të largohem. Ju do të vendosni nësë ne jemi në gjendje për të nxjerrë vendin nga kriza. Ju do të vendosni nëse ne jemi në gjendje për të bërë ndryshimet e nevojshme” tha ai në një mesazh drejtuar popullit grek. Kryeministri grek pranoi se pavarësisht arritjeve për shmangien e falimentit ekonomik, qeveria e tij nuk i kishte përmbushur të gjitha premtimet e bëra nga Syriza para zgjedhjeve. Por zoti Tsipras theksoi se falë miratimit të këstit të tretë është arritur që Athina të dalë nga gjendja e Krizës. “Kemi më shumë përvojë, jemi më të gatshëm. Ju garantoj se nuk kam për t’ia dorëzuar askujt mburojën e ideve dhe ju ftoj të japim betejën e vështirë për ta ngritur sërish atdheun në këmbë” tha ai.
Si data më e mundshme e zgjedhjeve të parakohshme në Greqi konsiderohet 20 shtatori, ndonëse zoti Tsipras do të dëshironte që zgjedhjet të mbaheshin madje edhe një javë më herët, më 13 shtator.
Ky zhvillim vjen në më pak se 8 muaj nga zgjedhjet e mëparshme, kur partia e majtë Syriza dhe aleatët  e saj erdhën në pushtet. Sipas kushtetutës greke ato do të zhvillohen me listë të kandidatëve, që e përcakton çdo kryetar partie, duke i dhënë kështu mundësinë Aleksis Tsipras të përzgjedhë si kandidatë ata që e mbështesin në vendimet e tij e duke shamngur kundërshtarët dhe përçarjen në partinë e tij Syriza. Kjo lëvizje e Tsipras shihet si një taktikë e mirë që mund ti sigurojë një mandat të fortë për të nisur aplikimin e masave që kërkojnë kreditorët, por tashmë Greqia do të përballet me një krizë të re, atë politike.
Sipas Kushtetutës presidenti do të duhet të emërojë si kryeministër të përkohshëm, kreun e Gjykatës së Lartë që në Greqi është zonja Vasiliki Thanou-Christofilou dhe kjo do të ishte hera e parë që Greqia do të kishte një kryeministre femër.