KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Turbullira ajrore, “United Airlines” zbret në Irlandë
Turbullira ajrore, “United Airlines” zbret në Irlandë

Turbullira ajrore, “United Airlines” zbret në Irlandë

Një avion që po udhëtonte nga Shtetet e Bashkuara për në Britani, ka bërë një ulje emergjence në Aeroportin “Shannon” të Irlandës për shkak të turbulencave në ajër. 16 persona janë plagosur. Ndër ta, 14 janë pasagjerë dhe dy pjesëtarë ekuipazhi, të cilët janë dërguar menjëherë në spital. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8 të mëngjesit. Fluturimi i “United Airlines” ishte nisur nga Hjustoni i Teksasit me destinacion Aeroportin “Heathrow” të Londrës. Por, turbullirat gjatë fluturimit bënë që avioni të ndalonte fillimisht në Irlandë. “Avioni devijoi kursin e tij për në Aeroportin “Shannon” në Irlandë, ku është pritur nga një personel mjekësor”, thuhet në deklaratën e kompanisë. Pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit të plagosur janë dërguar në spitalin e Limerickut. “United Airlines po ofron të gjithë kujdesin e mundshëm dhe mbështetjen ndaj pasagjerëve dhe ekuipazhit të fluturimit UA-880, që ra pre e turbullirave të papritura gjatë fluturimit nga Hjustoni në Londër gjatë ditës së sotme” bëri të ditur shoqëria amerikane e fluturimeve.