KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Turqi, këtë javë pritet hapja e kapitullit të 33-të të negociatave me BE-në
EU-Turkey

Turqi, këtë javë pritet hapja e kapitullit të 33-të të negociatave me BE-në

Në bisedimet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, këtë javë do të hapet kapitulli 33 me titull “Dispozitat financiare dhe buxhetore” që njëkohësisht është kapitulli i dytë brenda gjashtë muajve. Në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet të enjte në Bruksel me rastin e hapjes së kapitullit, do të marrin pjesë Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlut Çavushoglu, Ministri i Integrimit Evropian dhe Kryenegociatori Omer Çelik dhe Ministri i Financave Naci Agbal. Dispozitat Financiare dhe Buxhetore, krahas anëtarësimit, përfshijnë edhe rregulla në lidhje me burimet e nevojshme financiare për fondet që do të sigurohen për buxhetin e BE-së. Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në BE, ambasadori Selim Yenel, duke theksuar se kapitulli 33 në thelb është kapitull i hapur në një kohë afër anëtarësimit në BE, tha se hapja e kapitullit është e rëndësishme në aspektin e vijimësisë së bisedimeve. Duke u shprehur se me hapjen e kapitullit 33 këtë javë do plotësohet hapja e kapitullit të 16-të në total, Yenel tha se “Ende qëndrojnë pesë kapitujt të cilët grekët i pengojnë. Nëse shënohet përparim në çështjen e Qipros, nëse mund të arrijmë në një rezultat përfundimtar, atëherë këta kapituj mund të hapen në mënyrë shumë të shpejtë, ndërsa bisedimet për anëtarësim mund t’i kthehen rrjedhës normale.”Në lidhje me largimin e Britanisë nga BE-ja, Yenel tha se “Britania gjithsesi kishte pozitë prioritare në BE. Nuk ishte në Schengen dhe në Eurozonë, e nuk ishte subjekt edhe i një sërë dispozitash të tjera. Gjithsesi, ajo e kishte ndarë veten nga shumë vende. Duke qenë kështu, Britania ishte në pozitën e një anëtari me prioritet. Tani po heq dorë nga kjo.”