KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Turqi, Kryeministri i ri prezanton qeverinë e re

Turqi, Kryeministri i ri prezanton qeverinë e re

Kryeministri i ri turk Binali Jëlldërëm bëri publike përbërjen e qeverisë së 65-të të Republikës turke. Në përbërje të kabinetit të ri janë 4 zëvendës kryeministra dhe 21 ministra nga formacionet e besuara aleate të presidentit Erdogan. Presidenti pas miratimit të qeverisë së re, u shpreh i bindur se ajo do të çojë përpara reformat e kërkuara, ndërsa analistët thonë se ai nënkupton reformën kushtetuese që do t’i japë më tepër pushtet kreut të shtetit. Kryeministri i ri Jëlldërëm, 60-vjeçar, me formim inxhinier dhe anëtar themelues i partisë në pushtet, pason në këtë post Ahmet Davutoglu, i cili dha dorëheqjen për shkak të dallimeve në qëndrim me presidentin. Ndërrimi i qeverive ndodh kur Turqia përballet me sfida të forta në fushën e sigurisë dhe në mes të krizës së refugjatëve. Edhe në fushën e politikës ndërkombëtare Truqia po kalon në faza delikate në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.