KRYEFAQJA » LAJME » Turqi, Nishani në Samitin Humanitar Botëror: Shqipëria mbështet axhendën e OKB-së
nishani

Turqi, Nishani në Samitin Humanitar Botëror: Shqipëria mbështet axhendën e OKB-së

Nisi sot në Turqi Samiti Humanitar Botëror, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Në samitin e Stambollit ku diskutohet sistemi global i ndihmave humanitare, krahas shefit të OKB-së Ban Ki Mun dhe mikpritësit Rexhep Taip Erdogan, marrin pjesë edhe 60 krerë shtetesh e qeverish nga mbarë bota. Sekretari i Përgjithëm i OKB-së Ban Ki Mun, tha se përparësitë e samitit janë përcaktuar pas këshillimesh tre-vjeçare me 150 vende dhe 5 përparësitë e axhendës së njerëzimit janë parandalimi i konflikteve, mbojtje të civilëve, ndihma ndaj vendeve te pazhvilluara, ndihma humanitare dhe së fundi, investimi për njerëzimin. Shqipëria përfaqësohet në samit nga presidenti Bujar Nishani. Në fjalën që mbajti në seancën solemne të udhëheqësve, me temë: “Lidershipi politik për të parandaluar dhe dhënë fund konflikteve”, zoti Nishani tha se raporti i Sekretarit të Përgjithshëm ku paraqiten edhe 5 përgjegjësitë kryesore për njerëzimin, duhet të shërbejë si udhëzues për kalimin nga nismat në veprime konkrete. “Shqipëria ka një përvojë shumëshekullore në bashkekzistencën paqësore e harmoninë fetare dhe është e gatshme të vihet në krye të përpjekjeve për të promovuar dialogun dhe mirëkuptimin mes kulturave dhe qytetërimeve, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën”, tha Nishani duke folur për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. “Në zhvillimet rajonale, roli i Shqipërisë në dobi të paqes dhe stabilitetit ka qenë i dukshëm. Të udhëhequr nga parimi i fqinjësisë së mirë, jemi maksimalisht të angazhuar për të kontribuar në vijimësi për rritjen e frymës pajtuese dhe të bashkëpunimit. Lidhur me krizën e refugjatëve, Shqipëria ka ndjeshmërinë e duhur dhe gati të bashkëpunojë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian, sipas mundësive të saj”, tha Nishani. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, duke theksuar se për të ndaluar dhimbjet e përjetuara mbi tokë, fillimisht duhet t’i jepet fund konflikteve aktuale dhe të parandalohen konfliktet e reja, tha se sistemi aktual fatkeqësisht është i pamjaftueshëm përballë probleme emergjente. Ai tha se barrën po e mbartin vetëm disa vende dhe theksoi se tashmë të gjithë duhet të bashkojnë përpjekjet.