KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Turqi, urdhër ndalimi për 42 gazetarë
Turqi, urdhër ndalimi për 42 gazetarë

Turqi, urdhër ndalimi për 42 gazetarë

Autoritetet turke kanë nxjerrë urdhër ndalime për 42 gazetarë, si pjesë e hetimit për grushtin e dështuar të shtetit. Komentatorja e njohur Nazllë Llëxhak thuhet të jetë në liste, megjithëse Ankarja nuk e ka komentuar zyrtarisht një gjë të tillë. Ndërkohë, autoritetet kanë ndaluar ose kanë vënë nën hetim mijëra ushtarakë, gjyqtarë dhe punonjës të administratës publike. Presidenti Rexhep Taip Erdoan është betuar se do të pastrojë organet shtetërore nga virusi që shkaktoi revoltën, ndërsa akuzon Klerikun Fetullah Gylen për autorësinë e ngjarjes. Zoti Gylen, i cili jeton prej shumë vitesh në SHBA, ka mohuar në mënyrë kategorike perfshirjen në puç. Ndërkohë, presidenti i Komisionit Europian Zhon Klod Junker paralajmëroi të hënën se  negociatat për anëtarësimin eventual të Turqisë në BE do të pezulloheshin menjëherë nëse Turqia vijon me vënien në zbatim të propozimit për rikthimin e dënimit me vdekje në vend.