KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tusk : 100 mijë emigrantë duhet të shpërndahen në vendet e BE-së sipas kuotave të caktuara
Tusk : 100 mijë emigrantë duhet të shpërndahen në vendet e BE-së sipas kuotave të caktuara

Tusk : 100 mijë emigrantë duhet të shpërndahen në vendet e BE-së sipas kuotave të caktuara

Disa qindra emigrantë të pajisur me bileta hipën të enjte në një tren që do të largohej nga stacioni Keleti i Budapestit. Autoritetet hungareze kanë vendosur ta hapin pjesërisht stacionin e trenit për ata emigrantë që kanë dokumente të rregullta identifikimi dhe leje lëvizjeje të marra sipas procedurave të BE-së. Stacioni i trenave në Budapest qëndroi i mbyllur për 3 ditë duke bërë që mijëra emigrantë të ngrenë një kamp të përkohshëm në mjediset e tij madje edhe të protestojnë.
Kriza e emigrantëve në Hungari ka marrë përmasa të tilla saqë kryeministri Viktor Orban, udhëtoi drejt Brukselit ku u takua me udhëheqësit evropianë për bisedime. Në Hungari kanë mbetur rreth 50 mijë emigrantë të cilët nuk mund të lëvizin në vende të tjera sepse, sipas rregullores së Dublinit, duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së që hyjnë. Por, kryeministri hungarez ka thënë se vendi i tij nuk ka kapacitete për ta përballuar këtë fluks. Orbani e quaji problemin e emigracionit problem të Gjermanisë e jo të Hungarisë apo të Evropës. “Të gjithë duan të ikin drejt Gjermanisë, askush nuk dëshiron të qëndrojë në Hungari”, tha ai. Kurse presidenti i BE-se Donald Tusk tha se 100 mijë emigrantë duhet të shpërndahen në vendet e BE-së sipas kuotave të caktuara, për t’ua lehtësuar peshën atyre shteteve që kanë dyndje.