KRYEFAQJA » LAJME » U hodh sot në FSHF shorti për kampionatin e Kategorisë Superiore
U hodh sot në FSHF shorti për kampionatin e Kategorisë Superiore

U hodh sot në FSHF shorti për kampionatin e Kategorisë Superiore

U hodh sot në orën 11:00 në sallën e konferencave të Federatës Shqiptare të Futbollit, shorti i cili përcaktoi kalendarin e kampionatit të 78-të të Kategorisë Superiore, për sezonin e ri futbollistik 2016-2017 i cili fillon të mërkurën me 7 shtator 2016, një risi kjo për këtë kategori, dhe përfundon me 27 maj 2017. Edhe në këtë kampionat nuk do të ketë ndryshim formati, pra do të jenë përsëri 36 Javë që do të luhen në katër faza.

Për Javën e 1-rë shorti vendosi përballë njëra-tjetrës këto skuadra:
Korabi – Laçi
Skënderbeu – Flamurtari
Luftëtari – Partizani
Vllaznia – Kukësi
Teuta – Tirana

Ndeshjet kyçe të këtij kampionati ato mes Skënderbeut dhe Partizanit do të luhen në javën e fundit të çdo faze. Pra, në Javën e 9-të Partizani – Skënderbeu, në javën e 18-të Skënderbeu – Partizani, në javën 27-të Partizani – Skënderbeu dhe në javën e 36-të Skënderbeu – Partizani. Të tjera ndeshje kyçe të këtij kampionati janë ato të derby-t kryeqytetas: në javën e 4-rt Partizani – Tirana, vijojnë Tirana – Partizani (Java 13), Partizani – Tirana (Java 22) dhe Tirana – Partizani (Java 31). Kukësi dhe Skënderbeu luajne ne Javën e 8-të në Korçë dhe sipas radhës Javën e 17-të, 26-të dhe 35-të. Kukësi dhe Partizani takohen në Javën e 5-të në Kukës dhe sipas radhës Javën e 14-të, 23-të dhe 32-të.

Vllaznia e Shkodrës do të luajë ndeshjet e këtij kampionati në një stadium të ri Loro Boriçi, i cili u ngrit sipas parametrave të UEFA-s. Në këtë stadium mund të luajenë edhe dy kombëtare, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës. Korabi i cili ka marrë denim do ti luajë të gjitha takimet e këtij kampionati në stadiumin Selman Stërmasi në Tiranë, ndërsa klubi i Partizanit i cili po ndërton një stadium të ri do t’i luajë takimet e tij në Elbasan Arena deri në përfundimin e stadiumit të vet.

Pesë javë të këtij kampionati do të luhen në mesjavë. Ndeshja e javës së parë do të luhet të mërkurën më 7 shtator pasi me 5 shtator në stadiumin e ri të Shkodrës, kombëtarja jonë e drejtuar nga trajneri italian Giovanni De Biasi do të presë Maqedoninë në ndeshjen e vlefshme për Grupin G për kualifikimin në botërorin Rusi 2018. Të mërkurën me 12 tetor luhet Java e 6-të pasi kombëtarja jonë ka dy ndeshje të vlefshme për kualifikimin në Rusi 2018, të parën në Lihtenshtejn me 6 tetor dhe të dytën në vend me 9 tetor kundër Spanjës. Edhe Java e 13-të luhet ditën e mërkurë me 30 nëntor. Një tjetër e mërkurën, me 14 dhjetor luhet Java e 16-të. Java e 18-të do të luhet të enjten me 22 dhjetor pasi në fundjavë është festa e Krishtlindjes. Gjatë këtij sezoni futbollistik ka edhe tre pushime: i pari me 12 nëntor sepse pikërisht në këtë datë Shqipëria pret Izraelin në ndeshjen e saj të radhës të vlefshme për kualifikimin në Rusi 2018. Më pas vjen pushimi i dytë, ai dimëror pas përfundimit të dy fazave të para me 22 dhjetor dhe rifillon me 21 janar 2017 me javën e parë të fazës së tretë. Pushimi i fundit i përket vitit tjetër: 25 marsi 2017 është pushim pasi një ditë më parë kombëtarja jonë luan kundër Italisë në vendin fqinj edhe kjo është një ndeshje e vlefshme për kualifikimin në Rusi 2018.

Skuadra që do të renditet e para, pra kampionja e Kategorisë Superiore, do të luajë në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Skuadrat që do të dalin në vendin e dytë dhe të tretë do të luajnë në turin e parë kualifikues të Ligës së Europës. Dy skuadrat që do të renditen në vendin e 9-të dhe të 10-të do të bien në Kategorinë e Parë.