KRYEFAQJA » LAJME » U21, Shqipëria fiton 2-1 ndaj Hungarisë
U21, Shqipëria fiton 2-1 ndaj Hungarisë

U21, Shqipëria fiton 2-1 ndaj Hungarisë

Kombëtarja U21 e Shqipërisë ka marrë një fitore të merituar ndaj Hungarisë, në një sfidë të bukur dhe luftarake. Kuqezinjtë 21 vjeçarë kanë marrë 3 pikë të çmuara në “Elbasan Arena” duke ruajtur vendin e dytë në grup me 12 pikë, po aq sa Portugalia e vendit të parë. Loja e kujdesshme nga ana e të dyja skuadrave në 45 minutat e para bëri që ato të mbyllen me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë loja ka fituar ngjyra të tjera. Futbollistët e të dyja skuadrave luajnë më mirë dhe janë më të motivuar. Hungaria kalon e para në avantazhme anë të Geras. Ishte minuta e 53-të kur një gabim në mbrojtje i Hoxhallarit, i cili nuk e largon topin si duhet nga zona, bën që të ndëshkohemi duke pësuar gol. Futbollistët tanë nuk dorëzohen. Në minutën e 67-të, Shqipëria barazon me anë të Rei Manaj. Sulmuesi i Interit nuk fal brenda zonës dhe 1-1. Një minutë më vonë Laçi humbet një tjetër rast për të kaluar kuqezinjtë në avantazh. Në 77-të një kros i bukur i Liridon Latifit brenda në zonë dhe Prenga shënon golin e dytë për Shqipërinë. Një fitore e merituar për 21 vjeçarët e trajnerit Redi Jupi që ngjiten tashmë në vendin e dytë në grupin kualifikues për në Evropianin e Polonisë.