KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Monumentet e Kulturës do të rijetësohen

Monumentet e Kulturës do të rijetësohen

Monumentet e kulturës nuk do të shiten, nuk do të huazohen dhe as nuk do të jepen me konçesion. Kështu ka deklaruar ministrja e kulturës Mirela Kumbaro gjatë një daljeje për median, ku ka sqaruar udhëzimin e nxjerrë prej këtij institucioni lidhur me dhënien me qera të monumenteve të kulturës. Ministrja ka theksuar se ky udhëzim është detyrim ligjor që i shërben jetëzimit të monumenteve dhe hartimi i tij është bërë pas 2 vjetësh reflektimi mbi problemet e kontaktuara në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës.

Sipas ministres Kumbaro në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore edhe ministrat paraardhës të kulturës kanë hartuar dhe nxjerrë udhëzime të tilla. Kontratat me palët do të jenë të mirëpërpiluara, sipas ministres, ndërkohë që tarifat për dhënien me qera të këtyre monumenteve janë të përcaktuara tashmë me vendim përkatës të Këshillit të ministrave. Kumbaro dha një seri shembujsh të vendeve të zhvilluara të europës si Italia, Gjermania e Holanda që kanë këtë praktike për rijetëzimin e monumenteve të kulturës.