KRYEFAQJA » LAJME » UEFA dënon Skënderbeun për trukim

UEFA dënon Skënderbeun për trukim

Kampionia e Shqipërisë Skënderbeu nuk do të lejohet të marrë pjesë për një vit në Kupat e Evropës. UEFA e ka dënuar për trukim ndeshjesh pas disa muaj hetimesh. Vendimi i UEFA-s i është komunikuar klubit korçar dhe pritet për tu bërë zyrtar nga ana e organizmit që qeveris futbollin kontinental. “Po, jemi dënuar me mospjesëmarrje. Tani jemi duke bërë letrat për në Gjykatën e Arbitrazhit Sport (KAS), sepse koha është e shkurtër”, – ka konfirmuar presidenti i klubit korçar, Ardian Takaj. Vete klubi korçar ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp, sipas së cilës UEFA e ka pezulluar padrejtësisht Skënderbeun nga Evropa për sezonin 2016-2017. Sipas komunikatës pavarësisht këtij vendimi, aspak të drejtë, aspak të provuar dhe argumentuar, të marrë në dëmin e klubit,  ai do të kundërshtohet në instancat më të larta. “Jemi të sigurtë që e drejta e mohuar në UEFA, do të fitohet në KAS nga klubi ynë. Bëjme me dije se ka nisur menjëherë përgatitja e dokumentacionit nga grupi i specializuar i avokatëve për ta paraqitur mbrojtjen e “KF Skënderbeu” në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë”, bëhet e ditur ndër të tjera në komunikate për shtyp të klubit 6 herë “kampion” i Shqipërisë.