KRYEFAQJA » LAJME » UEFA: Ja pse u dënua Skënderbeu!
UEFA: Ja pse u dënua Skënderbeu!

UEFA: Ja pse u dënua Skënderbeu!

Organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, ka bërë sot të ditur edhe hollësitë e vendimit mbi kampionen e Shqipërisë, Skënderbeu. Siç dihet, Skënderbeu është dënuar nga UEFA për trukime ndeshjesh, ndaj nuk mori dot pjesë në eliminatoret e Ligës së Kampioneve. Pezullimi 1-vjeçar, i dhënë nga komisionet juridike të UEFA-s, u la në fuqi edhe nga KAS-i i Lozanës, çka bëri që Partizani të kalonte nga Liga e Evropës në atë të Kampioneve. Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit ka deklaruar sot se ishte në pritje të zbardhjes së vendimit të KAS-it, që nuk ka dalë ende, ndërsa hollësitë e botuara sot janë ato të vendimit të UEFA-s “Klubi shqiptar, Skënderbeu, ka qenë i përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në fiksimin e ndeshjeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë gjashtë viteve të fundit, – shkruhet në vendimin prej 32 faqesh. “Janë 5 ndeshje të Ligën e Kampioneve, 2 ndeshje të Ligës së Evropës, 41 ndeshje të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, si dhe 6 ndeshje miqësore”, – vijon më tej vendimi i sqaruar. Monitorimi i ndeshjeve të Skënderbeut nga sistemi i specializuar ka nisur që nga prilli 2007. Së fundmi, përshtypjet e krijuara rreth KS Skënderbeut, nga lojtarët kundërshtarë, deri te tifozët, nga kompanitë e basteve deri te gazetarët, tregojnë se është krijuar një bindje se Skënderbeu ka manipuluar dhe vazhdon të manipulojë ndeshje në Shqipëri dhe Evropë.
Por situata duket se komplikohet më shumë pasi në raportin e e UEFA-s përmendet emri i ish-ministrit të Financave Rivdan Bode, i cili së bashku me presidentin aktual, Ardijan Takaj dhe ish-presidentin Agim Zeqo, konsiderohen si personat kryesorë të klubit të lidhur me bastet. Në një reagim të menjëhershëm zoti Bode i ka cilësuar deklarimet si shpifje të ulëta e denigruese, të cilat ai do t’i ndjeki ligjërisht në të gjitha instancat kompetente.
Ndërkaq ka reaguar edhe ekipi korçar. “Skënderbeu nuk u dënua kurrë për trukim, por për shkak të dyshimeve u konsiderua i “papërshtatshëm” për të marrë pjesë në kompeticionet europiane” bëhet e ditur në një deklaratë në rrjetin social Fejsbuk. “Vërtetimi më i mirë për këtë gjë është dënimi 1-vjeçar që u dha nga UEFA, pasi legjislacioni i këtij organizmi parashikon dënim mbi 5-vjeçar kur faktohet trukimi i ndeshjeve” argumenton deklarata. Sipas klubit korçar raporti i publikuar nuk është gjë tjetër veçse dosja e “Federbet”, kompania e kontraktuar nga UEFA për të ndërtuar dosjen e akuzës.