KRYEFAQJA » LAJME » Ulqini: PD të japi shpjegime për baltën që hodhi ndaj deputetëve socialistë
Ulqini: PD të japi shpjegime për baltën që hodhi ndaj deputetëve socialistë

Ulqini: PD të japi shpjegime për baltën që hodhi ndaj deputetëve socialistë

Hyrja e në fuqi e ligjit për dekriminalizimin, ndersa pritej t’u jepte fund polemikave mes maxhorancës dhe opozitës, duket se i ka shtuar ato më tej. Të hënën, PS i kërkoi kundërshtares së saj historike PD, të japi shpjegime për sipas saj “baltën që  për dy vite rresht hodhi pa kursim mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë”. Deputeti socialist Musa Ulqini, në një deklaratë në emër të partisë, kujtoi se “Ligji per  dekriminalizimin u miratua nga mazhoranca sipas kërkesave të opozitës, edhe pse në kufijtë e prekjes së Kushtetutës, edhe pse  më i ashpri në llojin e tij në të gjithë Europën”. “Partia Socialiste dhe mazhoranca e miratuan ligjin për dekriminalizimin të bindur se kjo ishte rruga e vetme ligjore, por edhe politike e morale, për të  provuar përpara opinionit publik se sa e pavërtetë ishte akuza e lidershipit të PD, se në grupin parlamentar të Partisë Socialiste kishte as më pak e as më shumë, por plot 19 kriminelë” tha zoti Ulqini. Por tani kur ligji ka hyrë në fuqi “PS dhe opinioni publik kërkojnë nga PD dhe lidershipi i saj, nga Lulzim Basha e Sali Berisha, që të japin një shpjegim për baltën që për dy vite rresht hodhën pa kursim mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë”. Në deklaratën e  tij deputeti socialist kujton se “Aq më tepër që sot deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin”. “Partia Demokratike në vend që të kërkojë ndjesë për përbaltjen më të madhe që u është bërë përfaqësuesve të popullit në historinë e parlamentarizmit shqiptar, hesht për deputetët e saj dhe baltos këdo që kërkon informacion apo shpjegime për implikimin e këtyre deputetëve nga ligji për dekriminalizimin” shprehet deputeti socialist Musa Ulqini. “Së fundmi dua ti kujtoj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se misioni i opozitës është të thotë të vërtetën dhe jo të ndërtojë kauza të gënjeshtërta, se në pushtet nuk vihet duke përbaltur kundërshtarët, por duke ndërtuar alternativa qeverisëse për shqiptarët” përfundon deklaratën e tij zoti Ulqini.