KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Unaza e Jugut të Shqipërisë” realiteti më i ri në sektorin e energjisë
“Unaza e Jugut të Shqipërisë” realiteti më i ri në sektorin e energjisë

“Unaza e Jugut të Shqipërisë” realiteti më i ri në sektorin e energjisë

Shqipëria ka përmbyllur me sukses të plotë, projektin e zgjerimit të rrjetin 110 kV të Jugut të Shqipërisë, duke përmirësuar rrënjësisht furnizimin me energji elektrike të zonave turistike të Rivierës shqiptare.
Projekti, me një shtrirje mjaft të gjerë, i cili përfshin pjesën perëndimore dhe atë lindore të jugut të Shqipërisë, është investim me vlerë 49 milion euro i mbështetur nga qeveria gjermane, përmes financimit të Bankës KfW.
Përmes këtij projekti është zgjeruar dhe fuqizuar nënstacioni 400/110 kV Zemblak, një nga nyjet më të rëndësishme të sistemit energjetik në vend. Fuqizimi i këtij nënstacioni krijon mundësinë e furnizimit të zonës jugore të vendit, nëpërmjet fluksit të fuqisë që futet nga ky nënstacion, duke lehtësuar linjat e largëta të rrjetit 220 kV. Kjo balancon më mirë unazën 220 kV të Jugut, që përbën një problem për sigurinë e furnizimit të një zone të gjerë.
Unaza e Jugut përfshin linjat 110 Kv Ersekë – Përmet, 56 km e gjatë dhe Babicë – Sarandë, 104 km e gjatë. Ndërtimi i Linjës Babicë-Sarandë, ka mbyllur në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV, që do të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji të një zone të gjerë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës e Tepelenës dhe gjithashtu garanton funksionimin e sigurtë të HEC Bistricë.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të projektit është ndërtuar qarku i dytë i linjës 110 kV Zemblak – Korçë, 13 km, si dhe janë rehabilituar linjat 110 kV Memaliaj – Këlcyrë – Përmet dhe Korçë – Ersekë, 105 km. Ndër të tjera, janë zgjeruar impiantet 110 kV në nënstacionet Babicë, Sarandë, Korçë, dhe janë kryer punime rehabilituese në nënstacionet Përmet dhe Memaliaj.
Realizimi me sukses i këtij projekti i hap rrugë ndërtimit të dy nënstacioneve 110 kV në zonën e bregut të detit Jon: Orikum dhe Himarë, të cilat janë në fazë tenderimi.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Industrisë dhe Energjetikës Damian Gjiknuri, Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Engjëll Zeqo mori pjesë të premten, 29 janar, në ceremoninë inaugurimit të përfundimit të punimeve për këtë projekt. Në event merrnin pjesë Christoph Tiskens, Zv Drejtor i parë i KfW, për Europën Jug-Lindore dhe Turqinë, përfaqësues të firmave zbatuese, përfaqësues të ambasadës gjermane, etj.