KRYEFAQJA » LAJME » Bota » UNICEF: Në siri po ndodh një gjenocid fëmijësh
UNICEF: Në siri po ndodh një gjenocid fëmijësh

UNICEF: Në siri po ndodh një gjenocid fëmijësh

“Në Alepo viktimat nuk filluan sot. Është një vuajtje çnjerëzore që zgjat prej gjashtë vitesh, ku kanë vdekur fëmijë të pafajshëm nën vëzhgimin e ftohtë të botës”. Këto janë fjalët e një prej zëdhënësve të UNICEF-it. “Është e kotë t’i sillemi rreth. Kombet e Bashkuara kanë ndaluar të numërojnë fëmijët e vdekur në siri në vitin 2013, kur ishin rreth 11.000. Tani kemi frikë se numri i fëmijëve të vdekur të jetë pesëfishuar në krahasim me atëherë por edhe pse nuk ka të dhëna të sigurta mund të flasim me siguri për një gjenocid”.

Sipas UNICEF-it, nga e premtja e shkuar, në lindje të Alepos janë vrarë të paktën 96 fëmijë dhe janë plagosur 223 të tjerë. “Fëmijët e Alepos janë në kurthin e një ëndrre të tmerrshme”, deklaroi Justin Forsyth zëvendës drejtor i përgjithshëm i UNICEF-it. “Nuk ka fjalë, shtoi ai, për të përshkruar vuajtjet që po jetojnë këta fëmijë”. Sistemi shëndetësor në Alepon Lindore, shpjegon UNICEF-i, është në shkatërrim: kanë mbetur rreth 30 mjekë, ka shumë pak mjete apo mjekime urgjence për të shëruar të plagosurit, ndërsa rritet numri i rasteve të personave të traumatizuar.

Një mjek në terren tha për UNICEF-in se fëmijët që kanë pak mundësi për të mbijetuar lihen që të vdesin sepse rezervat janë të pakta dhe të kufizuara. “Asgjë nuk mund ta justifikojë një dhunë të tillë mbi fëmijët, tregoi ai, dhe një moskujdesje të vlerave të jetës njerëzore. Vuajtja dhe ndeshja e saj me fëmijët është pa dyshim gjëja më e keqe që kemi parë”.

Ndërkohë vazhdon ndeshja mes Moskës dhe Uashingtonit për bombardimet. Amerikanët kërkojnë një pushim të tyre për një javë, por rusët mund të japin vetëm 48 orë, siç thonë “për të mos u dhënë mundësi terroristëve që të riorganizohen”.

Krerët ushtarakë rusë janë “gati” që të fillojnë bisedimet në Gjenevë me palën amerikane për Sirinë, kjo edhe pse sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i ka kërcënuar se do të ndërpresë çdo bashkëveprim që kanë ata me Uashingtonin nëse nuk pushojnë sulmet ruso-siriane në Alepo. Këtë e ka deklaruar gjenerali Viktor Poznikhir, shef i Shtatmadhorisë të ndërforcave të Moskës, duke thënë se biseduesit e tyre janë gati për të fluturuar për në Gjenevë për të kërkuar bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “një rrugë të mundshme për të normalizuar gjendjen në Alepo”, pasi që armëpushimi pushoi pas gati një jave nga fillimi. Megjithatë Poznikhir nuk i ka rënë drejt për drejt sekretarit Kerry.

Rusia mbështët vetëm një armëpushim prej dy ditësh në Siri, por jo më shumë. “Kemi propozuar vazhdimisht një pushim të luftimeve për 48 orë, por Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në kërkesën e tyre për shtatë ditë, që është një kohë e mjaftueshme që grupet terroriste të riformohen dhe të mbledhin forcat. Një armëpushim prej shtatë ditësh për ne është e papranueshme”, deklaroi zëvendës ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov i cili padit “kërkimet e vazhdueshme për të kërcënuar ndërprerjen e bashkëbisedimit mes Moskës dhe Uashingtonit”.

Akoma me i drejt për drejtë ka qënë zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dimitri Peskov: “Moska vazhdon veprimtaritë e forcave ajroro-hapësinore për të mbështëtur aktivitetin antiterrorist të Forcave të Armatosura siriane. Kjo, shtoi Peskov, është gjëja më e rëndësishme, pra lufta kundër terrorizmit vazhdon”.

Dhe ndërkohë që politikanët botërorë vazhdojnë të bëjnë lojën e tyre të fëlliqur, fëmijët e pafajshëm por edhe familjet e tyre vazhdojnë të pësojnë dhunën e egër të atyre që flasin për paqe përballë opinionit publik dhe mediave.