KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Uragani “Methju” më i fuqishmi që ka goditur Karaibet këto 10 vite

Uragani “Methju” më i fuqishmi që ka goditur Karaibet këto 10 vite

Uragani më i fuqishëm i Karaibeve shkaktoi dëme të mëdha në Haiti, ku solli erëra deri në 230 km në orë, reshje të dendura dhe përmbytje. Shumë banorë mbetën të pastrehë ndërsa shumë prej shtëpive kanë humbur edhe çatitë e tyre. “Methju”, një stuhi e kategorisë së katërt shkaktoi të paktën dy të vdekur në Haiti dhe 4 të tjerë në Republikën Domenikane. Bilanci pritet të rritet pas verifikimit të shtrirjes së dëmeve. Zona më e goditur ishte ajo në jug të ishullit, e cila u izolua pas shembjes së një ure që e lidh atë me kryeqytetin Port o Prince. Urgani është zhvendosur tani në brigjet verilindore të Kubës, duke kërcënuar edhe Floridën, ku është ngritur alarmi. Haiti është një prej shteteve më të varfëra me shumë banorë që jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet. Sipas OKB-së vendi po përballet me ngjarjen më të rëndë humanitare që prej tërmetit katastrofik të vitit 2010. Të paktën 10 mijë persona po qëndrojnë në vendstrehime të përkohshme dhe ka raportime për mbipopullime të spitaleve dhe mungesë të ujit të pijshëm.