KRYEFAQJA » LAJME » Urso : Tirana mikpritëse e Kampionatit Evropian të peshëngritjes për U23 në vitin 2017

Urso : Tirana mikpritëse e Kampionatit Evropian të peshëngritjes për U23 në vitin 2017

Shqipëria do të organizojë një tjetër aktivitet madhor ndërkombëtar në sportin e peshëngritjes. Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian të peshëngritjes për U23 në vitin 2017. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, gjatë vizitës së tij në Tiranë.
“Eshtë hera e parë që vij në shqipëri dhe dua të jap lajmin e gëzuar se këtu do të organizohet Kampionati Evropian për U23 në vitin 2017” tha zoti Urso. “Shqipëria ka dhënë prova se di të organizojë në mënyrë të shkëlqyer akvititete të përmasave të tilla ndërkombëtare. Për evropianin e të rriturve në 2013, Federata Evropiane e peshëngritjes, në unanimitet të të gjithë anëtarëve të saj, ka vendosur t’i japë medaljen e artë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes” shtoi zoti Urso.
Në Evropianin U23 do të vijnë rreth 600 pjesëmarrës nga 49-50 vende të Evropës, të cilët do të qëndrojnë një javë. Gjatë këtij viti Federata Evropiane e Peshëngritjes do të organizojë edhe një seminar 3-ditor me trajnerë të huaj në Shqipëri.
Përsa i përket kushteve të Pallatit të Sportit Asllan Rusi ku do të zhvillohet ky evropian, Presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza tha se ka marrë miratimin e qeverisë për riskonstruksionin e plotë të tij.
Të pranishëm në aktivitet ishin presidenti i nderit I FSHP, Gudar Beqiraj, sekretari i përgjithshëm i FSHP, Agron Haxhihyseni, presidenti dhe sekretari i KOKSH, Viron Bezhani dhe Stavri Bello, trajnerë dhe sportistë të shtangës.