KRYEFAQJA » LAJME » Ushtarakët shqiptarë pritet ti bashkangjiten batalionit të udhëhequr nga Kanadaja në Letoni
Misionet ushtarake shqiptare

Ushtarakët shqiptarë pritet ti bashkangjiten batalionit të udhëhequr nga Kanadaja në Letoni

Një grup ushtarakësh shqiptarë pritet ti bashkangjiten grup-batalionit të udhëhequr nga Kanadaja në Letoni. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja shqiptare e mbrojtjes Mimi Kodheli gatë një takimi të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel ku u morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Zonja Kodheli nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar të materializojë vendimet e marra në Samitin e Varshavës, për një mbrojtje moderne dhe efikase të NATO-s. “Vendi ynë do të vijojë bashkëpunimin me vendet pjesëmarrëse në këtë forcë (në veçanti me Kanadanë dhe Letoninë si vende udhëheqëse dhe pritëse respektivisht), për të specifikuar detajet dhe elementët kryesorë të kontributit tonë” tha zonja Kodheli. “Shqipëria do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë, ku spikat një kompani e deklaruar për periudhën 2016-2018 në Task-Forcën e Përbashkët të Reagimit Shumë të Shpejtë të NATO-s (VJTF)” shtoi më tej ajo. Sipas ministres shqiptare të mbrojtjes së “Ky vit shënon pjesëmarrjen më të madhe të Forcave tona të Armatosura në stërvitjet dhe trajnimet e Aleancës”.
Në konteksin e këtyre zhvillimeve znja Kodheli është takuar me homologun e saj kanadez, z. Harjit Singh Sajjan dhe atë letonez z. Raimonds Bergmanis. Në fokus u vendos veçanërisht grup-batalioni i udhëhequr nga Kanadaja në Letoni dhe kontributi shqiptar në të. Ministrat ndanë mendimin se vendosja e forcës së përparuar të NATO-s në lindje, është një tregues i solidaritetit, unitetit dhe kohezionit të Aleancës. Ministrat e Mbrojtjes ranë dakord që stafet respektive të jenë në kontakt për të adresuar të gjithë elementët e nevojshëm.