KRYEFAQJA » LAJME » Vaksinimi nga ajri i dhelprave kundër tërbimit, teknikë efektive
Vaksinimi nga ajri i dhelprave kundër tërbimit, teknikë efektive

Vaksinimi nga ajri i dhelprave kundër tërbimit, teknikë efektive

Dikur, për 80 përqind të rasteve të sëmundjes së tërbimit në Europë ishin përgjegjëse dhelprat, dhe veçanërisht dhelprat e kuqe. Dikur sëmundja eleminohej duke ndërprerë rrugën natyrale të transmetimit të infeksionit përmes uljes së numrit të këtyre kafshëve por që para 25 vitesh, vendet europiane fillonin të zbatonin teknikën e vaksinimit të tyre përmes karemeve të hedhura nga ajri, çka ka rezultuar dhe mënyra më efektive. Në Shqipëri, kjo metodë po zbatohet që prej vitit 2014 me financim të Bashkimit Europian, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Drejtuesi i projektit PAZA, përgjegjës për përmirësimin e mbrojtjes së konsumatorit ndaj sëmundjeve zoonotike, Robert Xhei Konor, shpjegon se për të arritur një imunizim të plotë të dhelprave është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për 5 vjet rresht. Sipas tij, pas disa vitesh vaksinimi të rregullt, sëmundja është zhdukur në vende të rajonit si Kroaci e Serbi, dhe rezultatet tregojnë për ulje të rasteve thuajse në zero në Maqedoni.

Konor gjithashtu sqaroi se pavarësisht se ushqimi karem me përmbajtje vaksine lëshohet në zona që mund të preken edhe nga kafshë të tjera, ato nuk paraqesin asnjë problem.

Fushata e vaksinimit kundër tërbimit, zakonisht ndërmerret gjatë stinëve të pranverës dhe të vjeshtës, pasi temperaturat më të ulëta mundësojnë mosavullimin e vaksinës në gjendje të ngrirë në ushqimin karrem. Aktualisht, në vendin tonë po ndërmerret një fushatë e tillë e cila zgjat rreth jave.