KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Varet lideri i partisë më të madhe islamike në Bangladesh
EPA/ABIR ABDULLAH
EPA/ABIR ABDULLAH

Varet lideri i partisë më të madhe islamike në Bangladesh

Lideri dhe mbështetësi financiar i partisë më të madhe islamike të Bangladeshit, Xhamat el-Islami, u ekzekutua për krime lufte të kryera gjatë luftës së vitit 1971 për pavarësimin e vendit nga Pakistani. Manjati mediatik Mir Kasem Ali, 63 vjeç, u dënua me vdekje dy vjet më parë për krime si vrasje dhe tortura. Ali, u var për vdekje në një burg të sigurisë së lartë në rrethinat e kryeqytetit Daka të Bangladeshit. Ai u arrestua në vitin 2010 dhe u dënua në 2014-ën. Ali nuk pranoi të përfitonte falje presidenciale, çka do të mundesohej nëse ai do të pranonte fajin. Një operacion i madh sigurie u ndërmorr para dhe pas ekzekutimit të tij pasi ekzekutime të mëparshme janë pasuar nga demonstrata masive nga njerëz në mbështetje apo kundër tyre. Një ambulancë me trupin e pajetë të Mir Kasem Ali doli nga mjediset e burgut mëngjesin e së dielës, dhe u drejtua për në fshatin e tij të lindjes, ku u zhvillua funerali i të ndjerit. Bashkëshortja e Ali u tha gazetarëve se familja kishte dashur ta varroste atë në Daka, por kjo kërkesë u refuzua nga autoritetet. Ekzekutimi i manjatit pasoi disa sulme nga militantët islamik në Bangladesh, mes të cilëve një sulm në një kafene në Daka ku u vranë 20 pengje, shumë prej të cilëve shtetas të huaj .