KRYEFAQJA » LAJME » Vasili: Muret ndarës të padobishëm
Vasili: Muret ndarës të padobishëm

Vasili: Muret ndarës të padobishëm

Tensionet e shfaqura mes aleatëve në qeveri gjatë procesit të miratimit të Reformës në Drejtësi, veçanërisht disa deklarata të forta të kreut të parlamentit Ilir Meta, për mundësinë e dorëheqjes së tij dhe krijimin e një qeverie teknike, u kanë dhënë krah hamendjeve të shumta lidhur me të ardhmen e koalicionit të majtë. Por kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili tha të premten para gazetarëve se miratimi i reformës në drejtësi “me konsensus patriotik dhe historik” futi Shqipërinë në një fazë të re ku konsensusi nuk është tabu. “Konsensusi nuk besoj se rrëzon koalicione sepse besoj se konsensusi nuk është një ditë ndarje, por bashkimi” ju përgjigj zoti Vasili një pyetjeje nëse koalicioni ka rënë pas këtyre zhvillimeve.
I pyetur nëse LSI do të vazhdojë qeveri zoti Vasili tha se “Ne kemi votuar të 140 deputetët për reformën në drejtësi ku të gjithë votat e përbashkëta, PS dhe LSI kanë qenë në atë sallë. Edhe këtu ka një provë si mund të sillesh në mënyrë të përgjegjshme jashtë çdo lloj llogarie të vogël” tha ai. Për numrin 2 të LSI, pas zhvillimeve të fundit “Politika shqiptare nxjerr mësime të tjera për të kuptuar që të gjithë muret dhe të gjitha ndasitë e panevojshme, artificiale, dritëshkurtra të cilat e mbajnë në vend atdheun tonë të përbashkët, janë të padobishme”. “Parja në sy me njëri-tjetrin dhe vënia në tavolinë e gjerave parimore është gjithmonë një moment bashkimi” shtoi kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili.