KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Vasili: Qeveria të ndihmojë fermerët
Vasili: Qeveria të ndihmojë fermerët

Vasili: Qeveria të ndihmojë fermerët

Lëvizja Socialiste për Integrim, partia e dytë e madhe e koalicionit qeveritar, i ka kërkuar Qeverisë Rama të marri disa masa, për të lehtësuar fermerët në prag të mbërrijes së pikut të prodhimeve bujqësore. Kërkesat bëhen të ditura në një letër që kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit vasili i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ministrit të Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, por edhe ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti i cili vjen nga rradhët e LSI.
Zoti Vasili propozon dhënien e parave në dorë për fermerët pasi “Pjesa më e madhe e fermerëve nuk zotërojnë llogari bankare dhe janë larg këtyre shërbimeve”. Ai i kërkon qeverisë të ndërhyje me akt normativ për të lejuar kryerjen e shit-blerjeve me para në dorë deri në 100 mijë lekë për fermerët në pikat e grumbullimit dhe agro-përpunimit.
Një shqetësim tjetër i kreut të grupit parlamentar të LSI është ai i sigurimeve për fermerët. “Ju propozojmë që të mos ndryshojë kriteri i deritanishëm i detyrimit të pagesës së sigurimeve vetëm për muajin kur ndodh aplikimi” shkruan në letrën e tij ai.
Zoti Vasli kërkon edhe zgjatjen e kohës së shërbimeve doganore pasi “Vonesat dëmtojnë cilësinë e prodhimit dhe thyejnë kontratat e dorëzimit në kohë në destinacion. Kjo po penalizon prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë” paraqet shqetësimin e tij kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili, në letrën drejtuar qeverisë Rama.