KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Vatikan- Koncert për shenjtërimin e Nënë Terezës
Vatikan- Koncert për shenjtërimin e Nënë Terezës

Vatikan- Koncert për shenjtërimin e Nënë Terezës

Bazilika e Shën Palit në Vatikan, ka kumbuar të shtunën nga një koncert special në nderim të humanistes me origjinë shqiptare Nënë Tereza, me rastin e shenjtërimit të saj ditën e dielë në Vatikan. Figurat më të shquara të artit, kulturës dhe sportit shqiptar Inva Mula, Ermonela Joho, Rita Ora, Shkëlzen Doli dhe Lorik Cana janë shprehur në nderim të Nënë Terezës.
Këngëtarja Rita Ora dhe futbollisti Lorik Cana, që hapën koncertin e konsideruan atë si një fjalim dashurie me muzikë. “Ne bijtë e gjakut dhe shpirtëror, jemi këtu për ta nderur veprën e saj në dobi të të varfërve, që bashkoi njerëzimin me fuqinë e besimit” u shprehën ata.
Mjaft emocionues ishte himni i Nënë Terezës i sjellë nga sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula e shoqëruar kori i Kosovës me orkestrantë nga Shqipëria e Maqedonia. “Valsi Hyjnor” është një krijim i Lorenc Antonit bazuar në poezinë “Lamtumirë” të shkruar nga vetë Nënë Tereza.
Koncerti kishte mbledhur bashkë të gjithë krerët e politikës shqiptare presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e parlamentit Ilir Meta, kreun e PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.