KRYEFAQJA » LAJME » Vatikan, Papa pret Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Vlerësime për Shqipërinë dhe bashkëjetesën fetare
baba mondi

Vatikan, Papa pret Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Vlerësime për Shqipërinë dhe bashkëjetesën fetare

“Popullit shqiptar, me gjithë zemrën time, i jap bekimin tim. E lus Zotin ta ruajë, ta ndihmojë që të ecë përpara dhe kurrë, kurrë të mos lejojë asnjë luftë mes bijve të vet. Amen.” Ky ishte bekimi i Papa Françeskut për Shqipërinë gjatë takimit sot në Vatikan me Kryegjyshin botëror të bektashinjve, Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në takim, dy krerët fetarë ripohuan rëndësinë e bashkësive fetare për shoqerinë e sotme. Papa u shpreh se i ruan në mendje dhe në zemër kujtimet nga vizita e tij në Shqipëri, si dhe i ka lënë mbresa të thella rinia dhe forca e populltit shqiptar. Papa vleresoi punën e bashkësive fetare në Shqipëri në ruajtjen e bashkëjetesës paqësore. Në takim mori pjesë edhe kardinali Turan, kryetari i këshillit papnor, i cili i prezantoi Papës rolin e komunitetit bektashi në marrëdhëniet vëllazërore ndërfetare në Shqipëri. Papa foli me nderim për gjithe ata njerëz që dhanë jetën në mbrojtje të vlerave njerëzore e shpirtërore. Ati i Shenjtë lavdëroi sërish vlerat e bashkëjetesës në vendin tonë. “E nxis këtë harmoni vëllazërore”, tha ai. Ndërsa kreu i bektashinjve e vlerësoi takimin si të mrekullueshëm, vëllazëror dhe të përzemërt. Ai u shpreh krenar edhe për figurën e humanistes se madhe shqiptare, Nënë Terezës, të cilën e quajti simbolin e shenjtërisë njerëzore. Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj falenderoi Papën për mbështetjen dhe për atë që ka bërë për kombin tonë. Ai përgëzoi Papen për mesazhin në mbështetje të refugjatëve myslimanë, duke u kërkuar shteteve të hapin jo vetëm dyert e shtëpive, por edhe të shpirtrave për ta. Baba Edmond Brahimaj tha se Shqipëria dhe komuniteti fetar i bektashinjve, bashkohen me thirrjet e Papës për luftë kundër rrymave radikale e terroriste. “Ju shohim si një flamurtar të dashurisë dhe paqes mes popujve dhe besimeve”, i tha Papës Baba Edmond Brahimaj.