KRYEFAQJA » LAJME » Vazhdojnë përpjekjet e ndërkombëtarëve për miratimin e Reformës në Drejtësi
Vazhdojnë përpjekjet e ndërkombëtarëve për miratimin e Reformës në Drejtësi

Vazhdojnë përpjekjet e ndërkombëtarëve për miratimin e Reformës në Drejtësi

Mos suksesi i takimit Rama- Basha, i ka detyruar ndërkombëtarët të vijojnë përpjekjet për vazhdimin e dialogut për të arritur miratimin e Reformës në Drejtësi. Ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, kanë zhvilluar mëngjesin e së mërkurës një takim me kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Pika ku palët politike në Shqipëri nuk po gjejnë dakordësinë është çështja e emërimeve në institucionet e larta të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama vetëm pak ditë para takimit me zotin Basha, ofroi mundësinë e votimeve me dy të tretat, por duket se as kjo nuk e ka bindur opozitën të miratojë në parlament Reformën në Drejtësi. Ndërsa maxhoranca ka nisur procedurat e miratimit, kreu demokrat Basha ka lëshuar një ultimatum. Ai tha se nëse nga mazhoranca do të ketë përpjekje për të trafikuar votat e opozitës për votimin e kësaj reforme, opozita do të marrë vendim për djegien e mandateve të deputetëve. Sipas disa analistëve pas një deklarimi të tillë, miratimi i Reformës në Drejtësi me anë të një referendumi gjithnjë e më shumë po shikohet si një mundësi.