KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Vazhdojnë problemet me kreditë e këqia

Vazhdojnë problemet me kreditë e këqia

Treguesi i kredive të këqija në banka është i luhatshëm. Ky destabilitet tregon se nuk është vepruar në mënyrë radikale ose e thënë ndryshe masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera financiare në vendet nuk kanë dhënë efektin e duhur. Për analistin dhe ekspertin e ekonomisë Zef Preçi kreditë e dhëna edhe në mënyra abuzive në kohën e lulëzimit ekonomik të viteve 2002-2006 po po japin efektin e tyre përveç edhe lëvizjeve të gabuara. “Në mënyrë të drejtëpërdrejtë qeveria inkurajon të ashtuquajturin pastrim të bilanceve me kreditë e këqia, që në fakt përkthehet në zvogëlim të pjesës që taksohet tek bankat dhe shtim i fitimeve të tyre. Ndërkohë vazhdon të ketë një rregullim të keq të institucioneve financiare jobankare” thotë zoti Preçi.
Ndërsa për ndikimin që mund të kenë ligji i falimentit dhe amnistia fiskale në treguesit e kredive me probleme zoti Preçi nuk shprehet shumë entuziast. “Ndikimi i këtij kuadri ligjor, e para, nuk mund të jepet në mënyrë të menjëhershme. E dyta, favorizimin e pozitës juridike të bankave në raport me huamarrësit e tyre nuk jam optimist se mund të prodhojnë realisht stimuj për të reduktuar kreditë e këqia. Ato ulen kur përmirësohet klima e biznesit dhe kjo është detyrë e qeverisë” tha zoti Preçi për RTSH.
Në total, në janar 2016 janë rreth 720 milionë euro, për të cilat bizneset apo individët i kanë vonuar pagesat e kësteve në banka për më shumë se tre muaj periudha kur një hua fillon e klasifikohet si e keqe.