KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Vazhdojnë spastrimet në Turqi; Erdogan urdhëron mbylljen e 45 gazetave dhe 16 televizioneve
erdogan

Vazhdojnë spastrimet në Turqi; Erdogan urdhëron mbylljen e 45 gazetave dhe 16 televizioneve

Turqia ka pushuar nga puna 88 punëtorë të Ministrisë së Jashtme, në serinë më të fundit të spastrimit të përkrahësve të klerikut mysliman Fethullah Gulen, i cili akuzohet për organizimin e puçit të dështuar ushtarak në vend. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, gjatë një transmetimi në NTV. Grushti i hekurt i Erdoganit pas grushtit të shtetit të dështuar të 15 korrikut nuk ka të ndalur. Autoritetet kanë nxjerrë një urdhër arresti për 47 gazetarë të gazetës “Zaman”, të cilët akuzohen për lidhje me Gylenin. Në total, në Turqi janë mbyllur më shumë se 130 media si përgjigje ndaj puçit të dështuar ushtarak. Tri agjensi lajmesh, 16 kanale televizive, 23 radio, 45 gazeta, 15 revista dhe 29 shtëpi botuese janë mbyllur. Në listën e mediave të mbyllura është dhe agjensia e lajmeve “Cihan”, gazeta “Zaman” dhe televizioni “Kanalturk”. Turqia po planifikon të mbyllë edhe shumë shkolla ushtarake në vend. Sipas dekretit, do të dëbohen të gjithë kadetët ushtarakë nga shkollat e mesme ushtarake dhe nxënësit mund të vazhdojnë shkollat normale publike. Më shumë se 15 mijë njerëz janë arrestuar që pas datës 15 korrik në Turqi. Numri i zyrtarëve është 8,113, të cilët po qëndrojnë në qelitë e paraburgimit në pritje të gjykimit.