KRYEFAQJA » LAJME » Vazhdon mësymja e emigranteve drejt Europës
Vazhdon mësymja e emigranteve drejt Europës

Vazhdon mësymja e emigranteve drejt Europës

Mësymja e emigrantëve drejt Evropës nëpërmjet rrugëve tokësore të Ballkanit vazhdon. Qindra emigrantë mbërritën përsëri në Maqedoni për të udhëtuar më tej me tren drejt Serbisë dhe Evropës Perëndimore. Autoritetet maqedonase organizuan udhëtimin me tren për rreth 500 prej tyre drejt Serbisë jugore, ku emigrantët u vendosën në kampet e përkohshme. Maqedonia i ka ndërprerë përpjekjet për të penguar me forcë ardhjet e refugjatëve nga Siria. Pas disa ditësh kaosi dhe përdorimi force nga policia, në shërbim të tyre janë vënë autobusë dhe trena. Sipas Kombeve të Bashkuara, mijëra emigrantë të rinj pritet të mbërrijnë çdo ditë në Maqedoni. Duke u përpjekur për një jetë më të mirë larg konfliktit dhe paqëndrueshmërisë politike, pjesa më e madhe synojnë të vendosen në Gjermani. Stacioni i tyre i fundit për të shkelur në zonën e lëvizjes së lirë Shengen është Hungaria, e cila ka vendosur të forcojë kufijtë duke ndërtuar një gardh me tela me gjëmba, efiksiteti i të cilit nuk po duket megjithëse u deklarua se ndërtimi i tij u përfundua. Sipas Organizatës Botërore të Emigracionit, rreth 350 mijë emigrantë kanë kaluar Mesdheun drejt Evropës Jugore këtë vit. Dy të tretat kanë mbërritur fillimisht në Greqi dhe pjesa tjetër në Itali. Rreth 2.600 prej tyre kanë humbur jetën gjatë udhëtimit.