KRYEFAQJA » LAJME » Vazhdon moti i keq, por situata po mbahet nën kontroll
Vazhdon moti i keq, por situata po mbahet nën kontroll

Vazhdon moti i keq, por situata po mbahet nën kontroll

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se situata në disa prej qarqeve të goditura nga përmbytjet e ujërave, po stabilizohet dhe po vjen në përmirësim gradual. Sipas MPB, ulja e intensitetit të reshjeve dhe puna e hidrovoreve ka sjellë një ulje të nivelit të ujërave. Ndërkohë në zonat problematike dhe me rrezik, janë marrë masat për evakuimin e banorëve, sigurimin e argjinaturave, ose vendosjen e inerteve në pikat e përmbytjeve pranë lumenjve.
Në Qarkun e Elbasanit, rezervuari i Millës, i cili paraqiste problem para disa orësh, tani është vënë në kontroll. Por ka ende prurje të larta të përrojit të Zaranikës dhe të lumit Shkumbin.
Në Qarkun e Lezhës intensiteti i reshjeve ka rënë dhe uji po largohet nga qyteti.
Në Lushnjë po punohet për forcimin dhe mbajtjen e argjinaturës së lumit Shkumbin. Të gjithë strukturat janë në terren. Për shkak të vërshimit të ujërave njoftohet se treni i udhëtarëve të linjës në orët e pasdites, u kthye mbrapsht për në Rrogozhinë.
Në Qarkun e Dibrës njoftohen prurje të larta të lumit Drin, ndaj po hidhen inerte në argjinaturën pranë fshatit Gjoricë. Në terren ndodhen forcat e policisë, mjetet e ushtrisë, të cilat janë në gatishmëri për çdo situatë emergjence.
Në qytetin e Durrësit janë vërejtur disa zona të përmbytura, kryesisht afër stacionit hekurudhor.
Në Bashkinë e Shijakut ka pasur shumë prurje të lumit Erzen dhe për këtë arsye janë evakuuar 11 familje që rrezikoheshin të përmbyteshin.
Në Bashkinë e Kavajës si rezultat i reshjeve, është krijuar një situatë e rëndë dhe shqetësuese nga prurjet e përrenjve Leshniqe dhe Draç, në rrjedhjen e fundit të të cilëve, është krijuar përmbytje në fshatin Qerret të njësisë administrative Golem dhe në fshatin Rrrikaj të njësisë administrative Synej, bashkia Kavajë. Nga prurjet e ujit të këtyre përrenjve janë përmbytur shumë shtëpi si dhe tokat bujqësore të kësaj zonë. Bashkia Kavajë ka marrë masat e nevojshme për evakuimin e banorëve nga shtëpitë e përmbytura duke i sistemuar nëpër familje të tjera, si dhe është dhënë urdhër që këto familje të sistemohen në zyrat e njësive administrative apo në shkollat e fshatit.
MPB njofton se, situata po ndiqet nga Shtabet e Emergjencave si dhe nga strukturat e Policisë së Shtetit. Shtabet e Emergjencave në qarqet që kanë probleme, janë duke monitoruar dhe punuar me të gjitha strukturat e specializuara. MPB u bën përsëri apel qytetarëve që për të gjitha rastet e emergjencave të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit apo në numrin 128 të shërbimit zjarrfikës.
Gjatë ditës së enjte, 7 janar 2015, moti mbi Shqipëri do të karakterizohet nga rreshje të vazhdueshme shiu, ndërsa në zonat veriore e juglindore me rreshje dëbore.