KRYEFAQJA » LAJME » Operacioni antidrogë “Brashta” në Dukagjin
Operacioni antidrogë "Brashta" në Dukagjin

Operacioni antidrogë “Brashta” në Dukagjin

Rreth 18 mijë bimë narkotike kultivuar në 147 parcela, janë shkatërruar ditën e martë gjatë një superoperacioni të policisë në zonën e Dukagjinit. Operacioni me emrin e koduar “Brashta” udhëhiqej nga drejtori i përgjithshëm i policisë, Haki Çako. Të paktën 450 efektiva të policisë së Shkodrës, të FNSH dhe RENEA-s, u përqëndruan në fshatrat Ndraj, Pylaj, Brashtë, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi. Në zonë u angazhuan 70 mjete dhe një helikopter që vëzhgonte nga ajri. Bimët narkotike të zbuluara, kryesisht kanabis sativa, kultivohej kryesisht në parcela që varionin nga 40 deri në 200 rrënjë. Lartësia a tyre shkonte nga 60 centimetra deri në 2.4 metra. Grupet hetimore po sekuestrojnë provat materiale në parcela për të bërë të mundur evidentimin dhe kapjen e autoreve. Nuk ka njoftime për persona të ndaluar, apo incidente gjatë zhvillimit të operacionit i cili do të vazhdojë edhe më tej.
Ky është operacioni i dytë i madh antidrogë në këtë zonë pas atij të organizuar egzaktësisht një vit më parë. Në atë kohë policia njoftoi se identifikoi dhe asgjësoi 86 930 rrënjë bimësh të dyshuar kanabis sativa, të cilat ishin kultivuar në 175 parcela.