KRYEFAQJA » LAJME » Vazhdon operacioni antikanabis në Krujë
Vazhdon operacioni antikanabis në Krujë

Vazhdon operacioni antikanabis në Krujë

Një operacion i madh antidrogë ka nisur mbrëmjen e së martës në fshatin Derven të Krujës, ku nga policia konfirmohet se një sasi e konsiderueshme kanabis sativa në proces tharjeje në disa magazina është sekuestruar. Sipas burimeve policore sasia e sekuestruar i kalon një ton, ndërsa operacioni është ende në vijim për arrestimin e të gjithë autorëve të këtij grupi kriminal. Zyrtarisht është konfirmuar se deri tani në pranga kanë rënë 11 persona  mes tyre punëtorë dhe organizatorë të kësaj veprimtarie të jashtëligjshme, ndërsa janë shoqëruar disa të tjerë në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Në vendin ku po thahej kanabisi janë gjetur dhe sekuestruar 2 automatikë dhe 2 pistoleta, kanabis i përpunuar si dhe një sasi e hapur në magazine.  Operacioni në fjalë është iniciuar pas informacioneve operative dhe më pas Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur menjëherë hetimin. Kanë qenë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, por edhe forca policie të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatit të Krujës, të cilat kanë zbarkuar në fshatin Derven, vetëm pak kilometra nga qendra e Tiranës, pas informacioneve të mbledhura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në rrugë operative, mbi ekzistencën në këtë zonë të një sasie të madhe lënde narkotike.