KRYEFAQJA » LAJME » Vdes ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Sali Muça
Vdes ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Sali Muça

Vdes ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Sali Muça

Është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça. I vlerësuar si kreu i dytë i myslimanëve shqiptarë në periudhën e demokracisë, pasi zëvendësoi në këtë detyrë Haxhi Hafiz Sabri Koçin, Selim Muça e ka drejtuar Komunitetin Mysliman Shqiptar për dhjetë vite, nga viti 2004-2014 dhe së fundi ishte zgjedhur si kryetar nderi i këtij Komuniteti.

Haxhi Selim Muça njihet për rolin e tij në ringritjen e besimit islam në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste, në rikthimin e xhamive si prona të Komunitetit Mysliman, apo për ringritjen e medreseve të Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Cërrikut dhe Kompleksit të Korçës, të cilat të gjitha së bashku arrijnë në miliona euro investime, falë marrëveshjeve që KMSH e drejtuar nga vetë Muça ka nënshkruar me disa shoqata në nivel ndërkombëtar. Një kontribut të veçantë ai ka dhënë edhe për ndërtimin e xhamisë qendrore në Tiranë.

Edhe në rrafshin diplomatik, Haxhi Selim Muça në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka mbështetur pavarësinë e Kosovës nëpërmjet takimeve të zhvilluara me ambasadorë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe përgatitjen e deklaratave drejtuar organizmave ndërkombëtare.

Selim Muça rrjedh nga një familje me tradita islame. Babai i tij ka qenë Imam. Por edhe vetë ka qenë i kompletuar me arsimin teologjik dhe atë laik. Ka kryer medresenë e Tiranës dhe shkollën e mesme të përgjithshme në kryeqytet. Më pas Haxhi Selim Muça ka vazhduar studimet universitare në degën e Inxhinierisë Gjeodezi-Hartografi në Çeki. Ai zotëronte mjaft mirë gjuhën çeke.