KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Velia: Kombinati të kthehet në zonë industriale
Velia: Kombinati të kthehet në zonë industriale

Velia: Kombinati të kthehet në zonë industriale

Bashkia e Tiranës po synon ta kthejë zonën nga Kombinati në Vaqarr, në perëndim të Tiranës, në një zonë industriale. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i bashkisë Erion Veliaj gjatë konsultave me qytetarët për planin e përgjithshëm vendor. “Propozimi që ne kemi është që të fillojmë t’i bëjmë gjërat me sistem për të transformuar zonën e Kombinatit. Transformimi konkret është që t’i japim trajtën e një qytetit brënda qytetit, që të shpallet si zonë e re industriale. Kemi filluar të inkurajojmë disa kompani gjermane për të punuar në këtë zonë” tha zoti Veliaj. Sipas tij kompanite e bizneset që do të vendosen e punojnë në zonën e kombinatit, parashikohet të paguajnë më pak taksa. “Kemi bërë një propozim edhe për çështje të zhvillimit, që të shohin këtë zonë si vend investimesh. Për këtë do të inkurajojmë duke ulur taksat për zonën e Kombinatit, nëse kompanitë vendosin të zhvendosen në Kombinat” tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Dikur lagjia e Kombinatit, ka qenë zona më e industrializuar e Tiranës. Ajo u quajt e tillë pas ndërtimit në vitin 1951 të një kombinati tekstilesh, një dhuratë e ish BRSS për Shqipërinë. Për këtë arsye ai mori emrin e ish diktatorit komunist sovjetik “J.V. Stalin”. Ky kombinati kishte 8 mijë punëtorë dhe shtrihej në një sipërfaqe prej 40 hektarësh. Në fund të viteve ’80 ai prodhonte rreth 60 milionë metër linear tekstile. Zona u kthye më tej në një qendër të madhe banimi pas ndërtimit të mjaftë banesave, kryesisht për punëtorët. Aktualisht Kombinati numëron mbi 120 mijë banorë.