KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: Bibliotekat më afër të rinjve
Veliaj: Bibliotekat më afër të rinjve

Veliaj: Bibliotekat më afër të rinjve

Bashkia e Tiranës po synon të rikthejë traditën e funksionimit të  bibliotekave të lagjeve. Në “Ditën Ndërkombëtare të Librit” kreu i bashkisë  Erion Veliaj, përuroi ambientet e reja të bibliotekës në Njësinë Bashkiake nr. 6 në Kombinat. Ajo ka një fond të gjerë librash të cilët mund të shfrytëzohen në kushte mjaftë komode. Zoti Veliaj tha me këtë rast se në komunitetet tona duhet të jenë gjithnjë më të rëndësishëm të rinjtë dhe të rejat e talentuara, jeta e të cilëve ndryshon nëpërmjet librave. “Më vjen mirë që Kombinati është stacioni ynë i parë ku ne rihapim bibliotekat e lagjes. Me pak inkurajim nga bashkia, mund ta bëjmë qendrën e Kombinatit në një shembull të ri, ku edhe Lapraka, edhe njësitë e tjera, mund të vijnë dhe të shohin se si menaxhohet kjo si qendër komunitare, përtej funksionit si bibliotekë” tha kreu i Bashkisë së Tiranës. Ai u bëri thirrje banorëve të Kombinatit që të kontribuojnë në pasurimin e bibliotekës me libra që do t’i shërbejnë edukimit dhe rikthimin e të rinjve te libri. Bashkia e Tiranës do të nisë një projekt, i cili synon në rikonstruktimin e bibliotekave të lagjeve, duke i shndërruar ato edhe në qendra rinore, që mund të shërbejnë për aktivitete artistike, sociale, kulturore, sportive, etj.