KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: Brenda nëntorit përfundon Unaza e Vogël
Veliaj: Brenda nëntorit përfundon Unaza e Vogël

Veliaj: Brenda nëntorit përfundon Unaza e Vogël

Bashkia e Tiranës parashikon që brenda nëntorit qendra e Tiranës do të çlirohet nga trafiku i makinave. Së bashku me OSHEE-në kanë nisur punimet për zhvendosjen e nënstacionit elektrik, i cili i hap përfundimisht rrugën zgjerimit dhe vënies në funksion të plotë të projektit të Unazës së Vogël. Punimet, të cilat kanë nisur prej disa ditësh, u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Me të mbaruar ky proces, që besoj do zgjasë edhe disa ditë, do të vazhdojmë me përfundimin e rrugës për të hapur Unazën e Vogël të Tiranës. Ajo që presim në këtë fazë të fundit është që, kur të vijnë festat e Çlirimit dhe të Pavarësisë, të na gjejë të çliruar nga trafiku dhe të pavarur nga rrëmuja e punimeve në qendër të Tiranës, për të pasur një çlirim dhe pavarësi edhe të Tiranës në fund të nëntorit”, theksoi kreu i bashkisë.

Kryebashkiaku Veliaj tha se me ritmet me të cilat ka ecur puna deri tani, edhe sheshi “Skënderbej” pritet të marrë formën e tij të plotë para afateve të përcaktuara në kontratë, prej 12 muajsh. Sërish Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për pengesat e krijuara gjatë kësaj kohe.

Brenda verës së ardhshme do të përfundojmë edhe sheshin “Skënderbej”. Dua t’ju kërkoj ndjesë qytetarëve; e di, një shtëpi rregullohet, shiko sa rrëmujë bëhet, imagjino kur rregullojmë një qytet të tërë, por janë punë shtëpiake që një ditë duhen bërë dhe më mirë që t’i heqim të gjitha këto punë që në vitin e parë, pra Unazën e Vogël, sheshin “Skënderbej”, Bulevardin e Ri, disa nga parkingjet nëntokësore, në mënyrë që pastaj të kemi një shtëpi ku do kemi dëshirë të jetojmë të gjithë tha Veliaj.

Spostimi i nënstacionit elektrik nuk do të shoqërohet me ndërprerje të energjisë elektrike. OSHE ka marrë masa që abonentët të furnizohen nga linjat e tjera në rrjetin tonë unazor. Zhvendosja e nënstacionit, do realizohet brenda një muaji.