KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: Doni më shumë investime? Paguani rregullisht taksat!
Veliaj: Doni më shumë investime? Paguani rregullisht taksat!

Veliaj: Doni më shumë investime? Paguani rregullisht taksat!

Bashkia e Tiranës synon të ndërgjegjësojë qytetarët e saj që ata të jenë pagues të rregullt taksash. Kryetari i ri i Bashkisë Erion Velia tha se njësitë bashkiake, banorët e të cilëve do të paguajnë më shumë taksa, do të marrin më shumë investime. “Nga tani e tutje, do të vendosim të investojmë në proporcion tek njësitë ku korrektesa e pagimit të ujit, taksës së pastrimit është më e madhe, ashtu edhe investimi do të jetë më i madh” u tha zoti Veliaj banorëve të njësisë bashkiake Nr. 5. “U bëjmë apel 24 njësive, nëse doni investime, do i merrni në proporcion me faktin se sa qytetarë të rregullt jeni” shtoi ai.
Pagimi i taksave nga banorët e Tiranës është konsideruar nga autoritetet e saj vazhdimisht një problem më vete.  Pak kohë më parë me rastin e ardhjes në detyrën e kryebashkiakut,  zoti Veliaj shprehu shqetësimin për nivelin e ulët të mbledhjes së të ardhurave. “Të ardhurat që mbledh Bashkia janë më pak se 50 për qind, në nivel qesharak. Taksa mbi pasurinë e paluajtshme është realizuar vetëm 13 për qind. Bashkia nuk mbledh më shumë se 13 për qind të taksës së pronës. Taksa për zënien e hapësirës publike është realizuar vetëm 60 për qind. Taksa e tabelës është realizuar vetëm 46 për qind. Taksa e përkohshme e lojërave të fatit është mbledhur në Bashkinë e Tiranës vetëm 2 për qind” tha zoti Veliaj. Ai ka akuzuar paraardhësin e tij se se në ikje la një borxh prej 30 milionë dollarësh.