KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: Investimet e bashkisë kanë rritur vlerën e pronave 15 përqind
rruga isuf balta rikonstruksion, erion veliaj, 15% vlere e prones

Veliaj: Investimet e bashkisë kanë rritur vlerën e pronave 15 përqind

Mbi 4 mijë banorë që përdorin çdo ditë rrugën “Isuf Balta” në njësinë 9, nga sot mund të lëvizin më lirshëm, qoftë si këmbësorë apo drejtues mjetesh. Kryetrari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Sadri Abazi, tha se ky investim i rrit vlerën kësaj zone.Veliaj tha se përmes ndërhyrjes së bërë jo vetëm në rrugë, por edhe në ndërtimin e mureve të reja rrethuese më të ulëta, këto shtëpi janë kthyer në vila, duke e bërë rrugën një zonë rezidenciale.

Veliaj u shpreh se “Rruga ‘Isuf Balta’ është një nga rrugët që preket nga investimet e ardhshme në Bulevardin e Ri. Aty ku ka investime dhe parashikohen disa nga ndërhyrjet madhore, siç është Bulevardi i Ri, do të shikojmë se si do të rritet vlera e pronës, shtëpive dhe aseteve që banorët kanë në këtë zonë”. Kryebashkiaku tha se në një vit, sipas llogaritjeve të tregut imobiliar vlera e pronës në Tiranë është rritur mesatarisht 15%. “Kjo do të thotë se për një qytetar, i cili para se kjo administratë të fillonte punë, kishte një shtëpi që mund të vlente 100 milionë lekë, sot ajo shtëpi vlen 115 milionë lekë. Besoj se është një lajm i mirë që me investimet që ka bërë Bashkia e Tiranës, me pastrimin, me përmirësimin e infrastrukturës, prona e çdo qytetari të Tiranës mesatarisht është rritur me 15%. Për sa kohë që prona e qytetarëve të Tiranës vazhdon e rritet, do të thotë që Tirana mbetet qyteti më atraktiv sot për të investuar dhe besoj se bashkia, me planin ambicioz që kemi jo vetëm për njësinë nr. 9, do të shikojmë që prona e qytetarëve deri në fund të këtij mandati do kapë vlerat maksimale që mund të ketë pasur ndonjëherë në vitet e fundit. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që e kanë lidhur jetën e tyre me qytetin e Tiranës”, përfundoi Veliaj. Krahas shtrimit të rrugës dhe tubacioneve, projekti parashikoi edhe ndërtimin e 450 metra linear mure rrethues të rinj.