KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: “Karta e studentit” do të realizohet
Veliaj: "Karta e studentit" do të realizohet

Veliaj: “Karta e studentit” do të realizohet

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se “Karta e studentit”, një premtim i dhënë në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar do to realizohet. Duke folur në një takim me bordin rinor të qytetit, ku bëjnë pjesë senatorët e gjimnazeve, koordinatorët e universiteteve dhe përfaqësues të organizatave rinore, zoti Veliaj tha se po punohet për të realizuar këtë projekt, i cili përveçse do sjellë lehtësira për studentët, do të shmangë dhe shumë abuzime që ndodhin aktualisht me shërbime të tilla siç është edhe aboneja e studentit.
“Karta që do të kenë brenda këtij viti të gjithë të rinjtë e Tiranës do të jetë njëkohësisht mjet identifikimi për nevojat e qytetit, do të jetë aboneja jote me çip elektronik. Shoh që kriza më e madhe te studentët është mënyra sesi firojnë abonetë dhe se si gjithë këta matrapazët e linjave të autobusëve shkojnë i çojnë abonetë e studentit me çmim të reduktuar dhe subvencionuar në drejtim të paditur. Ne duam që karta e qytetit do të ndahet në kartë për rritur, pensionistë dhe student. Karta është instrument, nuk është qëllim në vetvete” tha zoti Veliaj.
Kryetari i Bashkise ka theksuar se projektet për qytetin arrihen edhe duke bërë një mbledhje sa më të mirë të taksave. “Bashkia e Tiranës ka ecur shumë mirë me buxhetin këtë vit. Pyetja është a i administron mirë taksat? Në fakt kemi tejkaluar planin e mbledhjes së taksave të bashkisë, sepse besoj që një kujdestar i mirë i qytetit është ai që mbledh të gjitha të ardhurat dhe pastaj i kthen të gjitha në investime. Kështu që edhe për rininë besoj që proporcionalisht buxheti do rritet dhe me përmirësimin që ka pasur buxheti i Bashkisë së Tiranës për këtë vit”. Duke u ndalur te objektivat dhe projektet e tjera konkrete që Bashkia e Tiranës ka për të rinjtë, Veliaj ka përmendur edhe programet inovative që ajo ka nisur të zbatojë siç është programi “Tirana ime”.