KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: Luftë zaptuesve, dëmtuesve dhe pisanjosëve!
Veliaj: Luftë zaptuesve, dëmtuesve dhe pisanjosëve!

Veliaj: Luftë zaptuesve, dëmtuesve dhe pisanjosëve!

Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, paralajmëroi se do të ndëshkohen të gjithë ata individë apo biznese të ndryshme që zaptojnë, dëmtojnë apo ndotin pronën e përbashkët. Duke folur të hënën gjatë ceremonisë së prezantimit të administratorit të Njësisë numër 10 në Tiranë, zoti Veliaj tha se “Duke filluar nga dita e sotme, Bashkia e Tiranës do të botojë një listë me sanksione për të gjithë “pisanjosët” e qytetit, do të ketë një sistem gjobash për individë dhe biznese që ndotin, do të ketë një sistem penalitetesh për të gjithë ata që urinojnë në vende publike, do të ketë një sistem penalitetesh për të gjithë ata që ndërtojnë pa leje”. Ka ikur koha kur prona e përbashkët trajtohej si një mall pa zot, dhe kur i ndershmi paguante për veprimet e të tjerëve, tha më tej zoti Veliaj.  “Nëse dikush hedhe plehra në rrugë, duhet ta paguajë ai faturën; nëse dikush vandalizon objektet publike, artistike apo kulturore, si Monumenti i Pavarësisë, duhet ta paguajë ai që është vandal dhe nëse dikush ndërton pa leje do ta paguajë prishjen, por edhe rikthimin në gjendjen fillestare ai që ndërton pa leje. Ky është i vetmi mekanizëm që ne kemi për të ruajtur bashkëjetesën mes njëri-tjetrit, bashkëjetesa ruhet me rregulla” dha detaje nga inisiativa e re kreu i ri i bashkisë.
Reagimet e qytetarëve rreth këtyre deklarimeve të zotit Veliaj janë përgjithsisht pozitive, por nuk mungon edhe mosbesimi. Disa kujtojnë aksionet plot bujë të pak kohëve më parë në Tiranë ku policia dhe INUK ndërhyri për prishjen e ndërtimeve pa leje si dhe zënien e trotuarëve, por që më vonë shumica u risistemuan sipas interesave të zaptuesve. Qytetarët thonë se viktima të këtyre aksioneve më së shumti janë njerëzit që mezi sigurojnë bukën e gojës, se bizneset që në jo pak raste janë lidhur me segmente të politikës.