KRYEFAQJA » LAJME » Veliaj: Lumi i Tiranës, një nga zonat më të privilegjuara të kryeqytetit
Veliaj: Lumi i Tiranës, një nga zonat më të privilegjuara të kryeqytetit

Veliaj: Lumi i Tiranës, një nga zonat më të privilegjuara të kryeqytetit

Projekti për rehabilitimin e zonës të quajtur Lumi i Tiranës përfundon brenda vjeshtës. Kjo është konfirmuar nga kryebashiaku Erion veliaj, i cili gjatë inspektimit të punimeve, ka theksuar se zona do të marrë një zhvillim krejt të ndryshëm nga ai i deritanishmi. “Besoj se në vjeshtë do t’i përfundojmë këto 7 km dhe kjo zonë jo vetëm që nuk do të përmbytet më, por do të bëhet një nga zonat më tërheqëse të qytetit, pasi brigjet e lumit do të kthehen në park, në fusha sportive dhe në ambiente rekreative për gjithë qytetarët e Tiranës” tha zoti Veliaj. “Duke e kthyer këtë pjesë në fusha sportive, hapësira të gjelbëruara, pista vrapi, në zona rekreative për qytetin, u kemi shtuar vlerën e pronës rreth 100 mijë familjeve që jetojnë pranë zonës të Lumit të Tiranës” shtoi ai. Sipas kryetari të bashkisë “zona më e diskriminuar do të jetë një nga zonat më të privilegjuara të qytetit, për t’u siguruar që investimet nuk prekin vetëm zonat turistike ose qendrore dhe administrative të qytetit, por gjithë periferinë”.
Sistemimi i zonës së Lumti të Tiranës do të sjellë një mënyrë të re të menaxhimit të ujërave të zeza, të cilat nuk do të derdhen më në lumë. “Edhe për ata që janë të vëmendshëm ndaj mjedisit dhe ndotjes, do të kemi një zgjidhje përfundimtare sa i përket ujërave të zeza në lumë. Jemi një komb i civilizuar, tallja me natyrën e cila na i kthen çdo gjë mbrapsht ka vazhduar shumë gjatë, ndaj edhe me përfundimin e kolektorit që ndjek punimet 7km në Bregun e Lumit, shpëtojmë një herë e mirë nga një kulturë që nuk na bënte aspak dinjitoze, të shkarkimit të gjithë ujërave të zeza në lumë” tha zoti Veliaj. Me këtë projekt bashkia i ka dhënë Tiranës një park të ri, i cili bashkë me bulevardin e ri krijojnë atë që quhet parku “T”: një park qendror në bulevard dhe një park në lumin e Tiranës. Rehabilitimi i Lumit të Tiranës është një nga projektet strategjike të kryeqytetit shqiptar, pasi u shërben përafërsisht 30 për qind të popullsisë.